“Dialogu po zvarritet”, Anton Berisha: Po bëhet për arsye të pastër politike nga Albin Kurti

schedule16:35 - 8 Nëntor, 2023

schedule 16:35 - 8 Nëntor, 2023

PRISHTINË- Me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, Kosova dhe Serbia vijojnë përpjekjet për të gjetur rrugën e zbatimit të marrëveshjeve, të cilat janë firmosur në takimet e Brukselit dhe jo vetëm.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Anton Berisha, tha në “Ballkan Update”, se dialogu është bërë kryetemë, përkundër premtimeve të Kurtit gjatë fushatës elektorale se fokusi i tij do ishte tek ekonomia.

“Dialogu është bërë e vetmja temë e qeverisë në mungesë të temave dhe premtimeve të tyre për ardhjen në pushtet se nuk do merret me dialog, por me zhvillimet ekonomike dhe me të gjithë ato përralla që ka treguar dhe duke qenë plotësisht i paaftë me drejtuar qeverinë në sektorë të saj. Tani dialogu është bërë si një instrument i mbetjen në qeveris dhe i betejës politike dhe krijohen situata që e gjithë hapësira politike të konsumohet me dialogun dhe në këtë kuptim kemi kështu lloj situatash”, tha ai.

Ai theksoi se procesi i dialogut po zvarritet dhe kjo është në dëm të Kosovës.

“I gjithë procesi ka një qëllim dhe ai është që të zvarritet. Serbia ka një interes të zvarritet pafundësisht, sepse ata e kanë iluzionin se me ndërrimin e rrethanave ndërkombëtare të kthehet Kosova në kuadër të Serbisë, ndërsa arsyeja se pse Kosova e zvarrit është arsye e pastër politike e Kurti dhe subjektit të tij, por është shumë e dëmshme për Kosovën, sepse ende se ka marrë veten dhe nuk është identitet i qartë ndërkombëtar dhe ajo konsumon të gjithë energjinë e vet të vetme të dialogut. Nga kjo zvarritje Kosova se sa e dëmtohet do duhet të marrim të dhëna të qartë shtetërore në gjendjen ekonomike, duhet të marrim numrin e njerëzit që janë duke lënë Kosovën, duhen të dhëna se sa njohje të reja ka, cilat zhvillimet diplomatike ka patur dhe nëse i mbledhim këto, atëherë  i shohim se këto zhvillime janë në rënie. Në arenën ndërkombëtare që nga shpallja e pavarësisë nuk kemi qenë në një situatë më të dyshimtë se sa jemi tani”, tha ai.

Gjatë intervistës në Ballkan Update, Berisha foli edhe për draftin që Rama u ka dërguar liderëve kryesorë të shteteve të BE për asociacionin. Ai tha se këtë akt e vlerëson si veprim diplomatik dhe politik nga ana e Shqipërisë, që e nxit Kosovën të ecë përpara.

“Unë edhe atëherë kam të njëjtin mendim që ideja e draftit të Ramës, për mua nuk ka qenë përmbajtja, por si akt politik dhe si shtytje, që duhet të lëvizë përpara rreth pranimit të asociacionit dhe ky ka qenë një shembull që Shqipëria është në favor të asociacionit dhe është ofruar ai draft, i cili për mua, ka qenë një gjest politik diplomatik dhe jo si një tendencë që drafti i asociacionit duhet të jetë ai model i asociacionit dhe sigurisht se ai nuk mund të jetë larg atyre kornizave që i janë vënë, dhe unë e kam parë si akt diplomatik dhe jo si imponim i përmbajtës së asociacionit”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!