Në një intervistë për mediat austriake, presidenti i Kosovës, Hashim Thaci ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi kanë shansin më të mirë për të arritur një marrëveshje. Sipas Thaçit, palët duhet të shfrytëzojnë momentin kur edhe Rusia po shprehet e gatshme të njohë një akord të negociuar.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përsëritur se një marrëveshje me Serbinë do të sillte më shumë paqe dhe stabilitet në rajon. Në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve “APA”, Thaçi ka nënvizuar se, një marrëveshje do të mundësonte anëtarësimin e Serbisë dhe Kosovës në BE, si dhe aderimin e vetë Kosovës në NATO. Kreu i shtetit kosovar ka nënvizuar se nuk do të ketë kufij monoetnikë, por të dyja shtetet do të jenë multietnike.
Sinkron Thaçi:
“Arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme nënkupton që nuk do të ketë më kurrë luftë ndërmjet dy shteteve. Qytetarët tanë do të kenë një jetë më të mirë, sepse nga jetësimi i marrëveshjes do të përmirësohet edhe gjendja ekonomike dhe do të krijohen kushte për më shumë vende pune. Ndërsa kufijtë do të hiqen, duke u bazuar në modelin evropian”.
Sipas Thaçit, shansi për të arritur një marrëveshje të tillë kurrë nuk ka qenë më i mirë, sepse të dyja vendet kanë mbështetjen e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.
Sinkron Thaci:
“Risia është që edhe Rusia do të jetë në gjendje të pranojë marrëveshjen nëse të dyja palët pajtohen. Prandaj është me rëndësi që të shfrytëzohet ky momentum për të arritur një marrëveshje të balancuar, e cila merr parasysh interesat e dy vendeve”.
Thaçi ka saktësuar se kjo marrëveshje nuk ka të bëjë vetëm me korrigjimin e kufijve, por edhe me aspekte të tjera siç është çështja e të zhdukurve nga lufta.
Sinkron Thaçi:
“Nuk do të ketë as “Shqipëri të madhe”, as “Kosovë të madhe”. Në vend të kësaj, ne synojmë integrimin e rajonit në Evropën e bashkuar”.
Gjatë intervistës Thaçi ka folur edhe për ushtrinë e Kosovës, duke e cilësuar krijimin e saj një vendim të drejtë të një shteti sovran, i bazuar në vullnetin e popullit të Kosovës./abcnews.al