Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, këtë të hënë ka bërë me dije se së shpejti do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë.
Kjo do të ndodhë me rastin e rifillimit të dialogut mes dy vendeve, ndonëse nuk ka treguar ndonjë datë.
“Është e qartë se më duhet të udhëtoj për në Serbi dhe Kosovë dhe të dërgoj sinjalin e fuqishëm se për ne dialogu është me prioritet”, ka thënë Maas me rastin e prezantimit të prioriteteve të presidencës gjermane të Këshillit të BE-së Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel.
Ai ka thënë se në Berlin kohë më parë është takuar me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe ka theksuar se Gjermania do të jetë e përkushtuar për vazhdim të dialogut, dhe njoftoi angazhimin e BE-së në bisedime.
“Në pyetje janë vende të cilat duan të ardhme evropiane dhe nuk do të duhej t’i lejojmë të na largohen, ndërsa e dimë se të tjerë kanë interesa të ndikojnë në atë rajon”, paralajmëroi Maas.
Shefi i diplomacisë gjermane vlerëson se para situatës “së rëndë dhe komplekse” në rajon, tani po përballemi edhe me pandeminë e koronavirusit./abcnews.al