Dialogu Kosovë-Serbi, Borrell njofton ministrat e jashtëm të BE-së për takimin Kurti-Vuçiç

schedule10:00 - 21 Qershor, 2021

schedule 10:00 - 21 Qershor, 2021

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do t’i informojë ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Borrell pritet që të bëjë një përmbledhje të plotë në lidhje me takimin që ka ndodhur mes  kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç të zhvilluar më 15 qershor në Bruksel.

Kurti pas takimit në një konferencë për media tha se çështja e të pagjeturve nuk pret dhe duhet të trajtohet. Ai deklaroi se tri nga katër propozimet e tyre në takimin në Bruksel janë refuzuar nga pala serbe.

Katër propozimet e Kurtit:

Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.

Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.

Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.

Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviç, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviç.

Ndryshe, takimi Kurti-Vuçiç u tha se kaloi mes tensionesh dhe ofendimesh. Ndërkohë pritet që takimi i radhës mes dy liderve të zhvillohet më 25 korrik. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!