Dialogu Kosovë-Serbi, Arifaj: Plani franko-gjerman i publikuar nga mediat europiane nuk është i vërteti, pika kyçe është asociacioni

schedule18:03 - 11 Nëntor, 2022

schedule 18:03 - 11 Nëntor, 2022

Plani franko-gjerman ka marrë vëmendjen maksimale në dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa nuk ka ende asnjë reagim nga palët nëse ka dakordësi për pikat e propozuara.

Ndërkohë, sot në Forumin e Paqes në Paris nuk pati një takim Kurti-Vuçic dhe për analistin Ardian Arifaj, kjo tregon se palët nuk janë të gatshme për planin e sipërpërmendur.

“Palët nuk kanë qenë të gatshme për një takim të tillë. Ka qenë një forum shumë më i gjerë, me një temë tjetër. Ështe shpresuar për takim në margjinat e këtij takimi, por nuk ka pasur një platformë të përbashkët që t’i bënin bashkë palët e këtij takimi. Së paku të thonë të dy palët që janë të gatshëm për planin franko-gjerman”, tha Arifaj në emisionin “Ballkan” të gazetares Linda Karadaku.

Arifaj theksoi gjithashtu se dokumenti i publikuar nga EURACTIV, me 9 pika të planit franko-gjerman, në fakt nuk ka lidhje me atë që aktualisht përmban propozimi. Analisti vuri në dukje se plani i publikuar nuk ka pikën për asociacioni e komunave serbe, ndërsa është mohuar edhe nga diplomatët ndërkombëtarë edhe nga politikanët vendas.

“Dokumenti i publikuar nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën, nuk e di si e kanë botuar. Ajo që dimë është që nuk është e saktë. Nuk është diskutuar më parë. Nuk ka pikën kërkesën për themelimin e komunave. Edhe diplomatët ndërkombëtarë dhe politikanët vendorë kanë thënë që nuk është ky dokument që i është prezantuar palëve. Ky quhet dokument kornizë, nuk është plan final, por një pikënisje. Një që është botuar nga mediat në gjuhën shqipe është më afër”, tha Arifaj.

Ndërkohë, gazetarja dhe drejtuesja e emisionin, Linda Karadaku bëri publik dokumentin eksluziv që është më i përafërt me planin franko-gjerman.

Ndër pikat e dokumentit është respektimi i të drejtave të minoriteteve, vetëmenaxhimi i komuniteteve serbe të përqendruara në veri dhe fakti se palët nuk duhet të flasin apo të përfaqësohen në emër të njëra-tjetrës. Edhe Arifaj e konfirmoi diçka të tillë, duke u ndalur veçanërisht tek pika e asociacionit.

“Më i përafër, po pika për asociaconin është kërkesë eskplicite. E kemi dëgjuar të përsëritur nga diplomatët amerikanë dhe europianë. E tha edhe Escobar që kjo është kërkesë themelore, të bëhet asociacioni i komunave me shumicë serbe. Këtu ka ngecur sharra”, tha ai. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!