Diabeti, sëmundja ‘e heshtur’/ 5 mijë raste brenda vitit, Mjekët: Shtoni kontrollet

schedule15:33 - 14 Nëntor, 2023

schedule 15:33 - 14 Nëntor, 2023

Shtohen të prekurit nga diabeti. Në Shqipëri mbi 90 mijë persona vuajnë nga sheqeri i lartë në gjak, rreth 5 mijë më shumë se vitin e shkuar. 600 prej tyre janë fëmijë dhe adoleshentë deri në 18 vjeç.

“Janë 50 – 60 nga 40- 45 që zbuloheshin e parë. Tregon që kemi shtim të fëmijëve, nuk është aq e madhe sa në rastin e tipit 2 ku flasim për  4- 5 mijë raste,  por është një numër i rëndësishëm, e duhet të kemi parasysh që diabeti nis në 1 vjeç dhe e shoqëron  gjatë gjithë jetës”, është shprehur mjeku endokrinolog Florian Toti.

Nga ana e saj, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha: “Chek Up është një program që ka funksionuar shumë mirë e nga i cili kanë përfituar mjaft njerëz që nuk e dinin, duke e mësuar e kontrollojnë sëmundjen dhe nëse e trajtojnë si duhet nuk do ti vuajnë ato komplikacione”.

Sipas mjekëve   mënyra e të ushqyerit, mungesa e aktivitetit fizik dhe programet për zbulimin e hershëm të sëmundjes  kanë ndikuar në rritjen e  numrit të të sëmurëve.

Në ditën botërore të ndërgjegjësimit për diabetin  apeli vjen për të  mbajtur në kontroll peshën e për shmangur  jetën sedentare.

“Nëqoftëse ne humbasim 5% të peshës trupore shifrat e glicemisë mund të përmirësohen nga 10 deri në 20 mg.  Pra një persona prediabetik mund të “shërohet” ose një që është me diabet mund të kthehet në prediabetik.   Mund të kemi përmirësim thjeshtë duke rënë 5 kg nga pesha trupore Ajo që ne i japim si këshillë personave diabetik po që në fund të fundit është një këshillë për mënyrën e shëndetshme të jetesës është ushqehu nga pak dhe shpesh pra duke konsumuar tre vakte te plotë dy të ndërmjetme, por me sasi të kontrolluar ushqimi”, theksoi Toti.

“Janë rimbursuar fishat për personat mbi 65 vjeç duke mundësuar që duke pas fishat falas të kenë mundësi të kontrollojnë shifrat e glicemisë për t’ju përshtatur mjekimi. Të gjitha këto janë të parashikuara në buxhetin e këtij viti në mënyrë progresive dhe sesi do te vijnë duke u shtua 65-vjeçarët, vetëm ketë shtohen 4500 që përfitojnë nga ky program”, ka thënë Rakacolli.

Për shkak të problemeve shëndetësore që shfaq dhe  kostove  financiare diabeti është  sfidë jo vetëm për  personin që vuan prej tij,  por dhe  për buxhetin e shtetit  ku  me shtimin e të prekurve duhen shtuar dhe fondet për rimbursimin e ilaçeve dhe fishave për matjen e nivelit të sheqerit në gjak.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!