Di Maio apo Salvini? Çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve në Itali

schedule21:17 - 5 Mars, 2018

schedule 21:17 - 5 Mars, 2018

Edhe pse rezultatet kanë dalë, qytetarët italianë e kanë ende të paqartë se kush do të jetë njeriu që do t’i qeverisë në vitet e ardhshme. Teksa në skenë kanë dalë figura të reja, havazet e vjetra duket se do të dominojnë sërish në skenën politike.

Liderët e dy partive anti-estabilishment në Itali, Luigi di Maio dhe Matteo Salvini, po thurin plane se si të marrin në dorë pushtetin pasi italianët i votuan në zgjedhjet e përgjithshme. Dikur dy figura të padëshiruara në politikën italiane, krerët e Lëvizjes 5 Yjet dhe Ligës së Veriut janë sot figurat kyçe të saj.

Por cilët janë skenarët që mund të marrin jetë në vendin fqinj, kur asnjë prej partive nuk ka marrë shumicën për të qeverisur e vetme? Në një analizë të detajuar, korrespondenti i BBC në Milano provon t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje. Kur ngopen, thotë James Reynodls, votuesit italianë kanë zakonin që të provojnë zëra të rinj.

Në vitin 1994, pas skandaleve të korrupsionit u formua një klasë e re politike. Tani, në një farë mënyre, Italia po përsërit eksperimentet e vjetra. E krijuar në vitin 2009 si një parti anti-politike, Lëvizjes 5 Yjet i duhet të gjejë partnerë për të formuar koalicionin qeverisës. Gjasat janë që ajo t’i shtrijë dorën qendrës së majtë dhe grupimeve më të vogla politike, por ekziston edhe mundësia që të bindë Ligën e Veriut si aleat të ri.

Dy partitë ndajnë bindje të njëjta sa i takon euro-skepticizmit dhe një sërë çështjesh të brendshme, përfshirë atë të vaksinimit të fëmijëve, që tërhoqi jo pak vëmendje në fushatë. Por Liga e Veriut nuk parapëlqen të kënaqet me pak. Lideri i saj, Matteo Salvini insiston se grupimi i tij ka siguruar mazhorancën për të qeverisur vendin.

Fuqia e Ligës është rritur dramatikisht në vitet e fundit. E themeluar në vitin 1991 me pretendimin për të shkëputur veriun nga pjesa tjetër e vendit, tani ajo synon ta qeverisë atë si një të tërë. Kryesisht Liga është rritur me sulme radikale ndaj rivalëve politikë dhe me kalimin nga sulmet ndaj italianëve të jugut tek ato ndaj emigrantëve, të cilët ka premtuar se do t’i dëbojë në masë. Tani, kur kanë kaluar mbi 20 vjet nga ndryshimi i madh politik, vendi po sheh sërish fytyra të reja. Por qytetarët italianë e kanë provuar se fytyrat e reja nuk zgjasin shumë, gjë që përbën një mesazh të qartë për Di Maion dhe Salvinin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!