“Dhuro një pemë”, qytetarët i bashkohen nismës për Tiranën e gjelbër

schedule13:19 - 6 Mars, 2019

schedule 13:19 - 6 Mars, 2019

Shtohet numri i qytetarëve të Tiranës, të cilët i bashkohen nismës së Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve. Petrit Përnaska është njëri nga gjyshërit e Tiranës që vendosi t’u bëjë një dhuratë të veçantë dy nipërve dhe mbesës së tij, duke mbjellë pemë me emrat e tyre.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, u bëri thirrje të gjithë banorëve të kryeqytetit që të shfrytëzojnë festat e 7-8 marsit për të lënë gjurmë në qytet.

“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, ashtu si gjysh Petriti bëri sot, për nipat, për mbesat, për fëmijët e tyre, për ditën e nënës, për ditën e mësueses, për ditën e verës, sebepe ka plot, por arsyeja është një: qyteti të jetë më i pastër, më i gjelbër dhe të kemi një mjedis ku gjenerata e djemve dhe vajzave të këtij qyteti të rriten shëndetshëm”, tha ai.

Ai shprehu bindjen se deri në prill, kur do të mbyllet kjo fushatë edhe për këtë vit, kryeqytetit do t’i jenë shtuar edhe 100 mijë pemë të reja, duke zgjeruar sipërfaqen e gjelbër e duke përmirësuar cilësinë e jetës.

“Mezi pres që deri në prill kur të mbarojmë këtë fushatë 100-mijëshe të pemëve, të kemi mundësi të gëzojmë sa më shumë familje, që kujtimet e fëmijërisë së të vegjëlve të qytetit të lidhen me këto pika dhe këto rrënjë që janë hedhur në qytet”.

Edhe familja Shehu dhe Veizaj u bënë pjesë e këtij aksioni duke kontribuar për shtimin e gjelbërimit në kryeqytet.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!