Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Pogradecit, Engjëll Shyti është dhunuar gjatë një situate të tensionuar që shoqëroi mbledhjen e të hënës.
Incidenti ndodhi pas miratimit të pikës së gjashtë të rendit të ditës që parashikonte “miratimin e listës së sipërfaqes së tokës prej 34 mijë 660 hektarësh në Çërravë që mund të jepen me qira”. Pas debateve mes këshilltarëve, vendimi u miratua me 20 vota pro, por menjëherë pas kësaj në sallë shpërthyen tensionet.
Situata degjeneroi në përplasje fizike, ku sipas dëshmitarëve, këshilltari demokrat Engjëll Shyti është ngritur nga tavolina dhe është konfrontuar fizikisht me Kevi Muçllarin, një prej banorëve të zonës së Çërravës. 27-vjeccari me iniciale K.M është arrestuar pasi sipas policisë, gjatë zhvillimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak me prezencën e qytetarëve, fillimisht ka debatuar dhe ofenduar anëtarët e Këshillit Bashkiak, dhe më pas ka ushtruar dhunë fizike ndaj anëtarit te i Këshillit Bashkiak, duke e goditur me grusht.

