Dhunë, tortura, abuzime seksuale, OKB publikon raportin e krimeve ruse gjatë luftës 2-vjeçare në Ukrainë

schedule11:46 - 15 Mars, 2024

schedule 11:46 - 15 Mars, 2024

Viktimat civile, njerëz të të torturuar, të dhunuar seksualisht, krime që arrijnë në krime lufte, por edhe vjedhje pronash të panumërta kulturore.

Ky është raporti i OKB-së që dënon Rusinë në luftën e saj dy vjeçare kundër Ukrainës.

Komisioni hetimor i ngritur nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut gjeti “prova të reja se autoritetet ruse kanë shkelur të drejtat ndërkombëtare të njeriut, ligjin ndërkombëtar humanitar dhe kanë kryer krime lufte”, pas 16 vizitave në Ukrainë dhe intervistave me 422 gra dhe 394 burra.

“Komisioni është i shqetësuar për shtrirjen, këmbënguljen dhe seriozitetin e shkeljeve dhe krimeve që hetoi dhe ndikimin e tyre tek viktimat dhe komunitetet e prekura “, thuhet në raport.

“Dëshmitë e reja përforcojnë gjetjet e mëparshme të Komisionit se tortura e përdorur nga autoritetet ruse në Ukrainë dhe Federatën Ruse është e përhapur dhe sistematike,” shtoi raporti.

Raporti i ri përshkruan në mënyrë specifike trajtimin e tmerrshëm ndaj të burgosurve ukrainas të luftës në disa qendra paraburgimi në Federatën Ruse.

Gjithashtu dokumenton “përdhunimet dhe llojet e tjera të dhunës seksuale ndaj grave në kushte që përbëjnë torturë”.

Për herë të parë, studiuesit shqyrtuan edhe fatin e objekteve dhe të dhënave kulturore në territoret e pushtuara. Ata hetuan në mënyrë specifike qytetin e Kherson.

“Autoritetet ruse transferuan objekte kulturore nga Muzeu Rajonal i Artit Kherson dhe arkivat” e rajonit në Krime, të aneksuar në 2014 nga Moska.

“Sipas vlerësimeve të stafit të dy institucioneve, më shumë se 10 mijë objekte nga muzeu dhe 70% e dokumenteve nga godina kryesore e Arkivit Shtetëror janë hequr”, theksohet në raport.

Autoritetet lokale theksuan nevojën për të mbrojtur këto objekte nga shkatërrimi.

Sipas studiuesve, autoritetet kryen një krim lufte duke sekuestruar asetet e Ukrainës, veçanërisht përmes një ligji të miratuar në mars 2023, i cili thotë se këto pasuri dhe të dhëna të sekuestruara tani i përkasin Rusisë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!