“Dhunë të egër dhe krime”/ Operacioni i SPAK, kush janë 8 grupet kriminale që u goditën në Tiranë, Durrës dhe Elbasan

schedule13:16 - 19 Maj, 2022

schedule 13:16 - 19 Maj, 2022

SPAK bën me dije se ka goditur 8 grupe kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Sipas drejtuesit të SPAK, Arben Kraja, në Elbasan janë goditur 4 grupe, në Durrës një grup dhe në Tiranë 3 grupe.

Arben Kraja mes të tjerash u shpreh se grupet kriminale paguanin vrasës me pagesë për të eliminuar kundërshtarët. Urdhër arreste janë lëshuar për 32 persona. Kreu i SPAK theksoi se grupet i karakterizon dhuna e egër në krimet e bëra.

“Hetimet e kryera për këto ngjarje kriminale kanë evidentuar ekzistencën e 8 grupeve të strukturuara kriminale të cilët kanë shtrirje gjeografike kryesisht në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Në Elbasan 4 grupe, në Durrës një grup dhe në Tiranë 3 grupe. Këta grupe kriminale janë dedikuar në veprat penale në dëm të jetës dhe shëndetit si edhe në drejtim të pasurisë. Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga kjo veprimtari kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit. Hetimi ka nxjerrë në pah se grupet kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtarë. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon për një shkallë shumë të lartë organizimi dhe në këtë mënyrë edhe shkallë shumë të lartë rrezikshmërie shoqërore.” tha Kraja. 

/abcnews.al/