Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona të cilët ishin në protestën para Bashkisë Tiranë, në datat 11 dhe 19 prill.
Sipas forcave blu, Lulzim Nela dhe Ahmet Maja kanë ushtruar akte të dhunshme, kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë, kanë hedhur lëndë piroteknike e molotov në drejtim të punonjësve të policisë dhe të Bashkisë së Tiranës. Ata akuzohen për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.
Këtë të premte, Rithemelimi dhe Partia e Lirisë thirren sërish mbështetësit e tyre për të protestuar para Bashkisë së Tiranës.
Pjesëmarrja ishte e pakët, megjithatë sërish protestuesit e dhunshëm hodhën shishe Molotov e zjarr drejt godinës së bashkisë, duke u rrezikuar jetën punonjësve të policisë që ndodheshin aty për te garantuar sigurinë e institucionit. Protestuesit iu përgjigjën thirrjeve të disa prej këshilltarëve bashkiak të opozitës, për të hyrë me forcë në bashki, duke hequr një pjesë të rrethimit metalik të vendosur nga policia si kordon sigurie.
Kjo është e katërta here ne disa jave që protestues të thirrur nga Berisha e Meta dhunojnë me zjarr e Molotov bashkinë, ndërsa protestojnë duke kërkuar largimin e kryetarit. Këto akte kanë rrezikuar seriozisht edhe jetën e efektiveve te policisë.
Pas përfundimit të akteve të dhunës këtë te premte një grup ekspertësh morën provat e molotovit të hedhur në dyert e bashkisë, ndërsa policia po punon për të identifikuar personat përgjegjës mes turmës së protestuesve./abcnews.al