Shantazhi, gjuha e urrejtjes, bullizmi e deri tek ngacmimet seksuale janë fenomenet më të përhapura të dhunës online tek adoleshentët në vendin tonë. Nxënësit në shkollat e Tiranës tregojnë ngjarje të ndryshme.
“Isha në shkollë më thanë Asja më bën follow, më kërcënonin hajde takohemi, duan t’i ftojnë në shtëpitë e tyre, ngacmime seksuale me pak fjalë”.
“Është një lojë, brenda lojës ka ato lekët e veta dhe e kërcënonin po smë dhe ti mua kaq, unë ty do të gjej shtëpinë”.
“Një prej shoqeve të mija kur ka qenë e vogël është djegur me ujë të nxehtë në fytyrë dhe ka një shenjë të madhe, ka qene e bullizuar nga shokët e klasës. Ky ishte dhe shkaku që u largua nga klasa.”
Në dhjetë muajt e parë të këtij viti raportimet për dhunën onlinë në platformën kombëtare për internet të sigurt kanë kaluar ato të gjithë vitit të shkuar. Në 40% të rasteve kanë ardhur nga moshat nga 15 deri në 18 vjeç. Viktima të dhunës onlinë më shumë kanë qënë vajzat ndërsa rrjeti social më problematik tik toku.
“Nga janari deri në fund të muajit tetor ne kemi 330 raportime krahasuar me të gjithë vitin 2023 që ka qene 224 në total. Nëse vitin e kaluar kemi pasur shantazhin apo përndjekjen dhe kërcënimet në vendin e tretë të raportimeve, këtë vit janë në vend të parë, mbi 30% janë për këtë çështje.“, theksoi Borjana Dine, drejtuese e Platformës Kombëtare për Internet të Sigurtë.
“Kemi pasur raste që kategorizohen si pornografi hakmarrëse. Fëmijë dhe adoleshentë kërcënuar nga të njohur apo të panjohur që mund të dispononin video apo foto intime me qëllim që nëse nuk përmbushin përmbushnin atë që i kërkohej do të postoheshin. Në 2023 s’kemi pasur raste të kësaj natyre. “
Shumë postime janë fshirë, disa faqe janë raportuar pranë platformave përkatëse dhe janë mbyllur, por apeli i specialistëve të fushës drejtuar prindërve është të mos e lënë me kaq.
“Duhet të marrin hapin dhe guximin të denoncojën në polici. Mbyllja e adresës apo fotos jo domosdoshmërisht i mbron. Ajo mund të jetë ruajtur në telefonin e personit dhe mund të ripërdoret.”, u shpreh Klaudio Pulaha, Linja Kombëtare e Telefonit të Ndihmës së Fëmijëve.
Hapësira online është sot më e pasigurta për fëmijët. Brenda vitit të ardhshëm pritet të jetë gati dhe një ligj për mbrojtjen e tyre në internet, por sipas përfaqësuesve të organizatave për mbrojtjen e fëmijëve gjithçka duhet të nisë me edukimin rreth hapësirës virtuale.
“Teknologjia na i jep të gjitha mundësitë. Verifikimi i moshës në BE shumë shpejt do të bëhet i detyrueshëm. Nëqoftëse industria e internetit nuk fillon të përmirësojë qasjen e vet përkundrejt sigurisë së fëmijëe masa që mund të marrin shtetet është ndalimi i aksesit në internet. Unë mendoj të mos arrijmë deri këtu se dhe fëmijët kanë nevojë për internetin”, u shpreh drejtori i CRCA, Altin Hazizaj./abcnews.al