Mjekët e urgjencës së Spitalit Rajonal Durrës protestuan mëngjesin e sotëm kundër dhunës së ushtruar ndaj një kolegu të tyre, dy ditë më parë.
Mjekët e Durrësit nuk e nisën punën si zakonisht. Agresioni ndaj kolegut të tyre të shtunën i nxorri në protestë. Ata i kërkojnë autoriteteve siguri në punën e tyre. Bluzat e bardha thonë se rastet e dhunës në spitalin e Durrësit janë të përsëritura.
“Kërkojmë që të rriten masat e sigurisë në spital, sidomos në shërbimin e urgjencës. Do donim që të ishte e pranishme Policia e Shtetit të paktën 24 orë në shërbimin e urgjencës”.
“Ne kërkojmë që të jemi të mbrojtur, të sigurohemi sepse po ushtrohet dhunë çdo ditë nga qytetarët kundrejt mjekëve. As në kohë lufte bluzat e bardha nuk preken. Ne jemi për të bërë shërbim jo për të dhunuar”.
Bëhet fjalë për ngjarjen e së shtunës. Mjeku i urgjencës, Gerald Kola, u godit me tullë në kokë, ndërsa përpiqej të ndante dy të dehur që po rriheshin në ambientet e spitalit.
Ky incident më herët solli reagimin e drejtoreshës së spitalit rajonal të Durrësit, Nadire Jani. Menjëherë pas saj edhe të Ministrisë së Shëndetësisë ku u kërkua dënimi maksimal që ligji parashikon për ngjarjen të tilla./abcnews.al