Dhuna në kuvendin e Kosovës, Prokuroria thërret Bislimin dhe Muratin, Lushtaku s’i përgjigjet ftesës

schedule11:33 - 14 Korrik, 2023

schedule 11:33 - 14 Korrik, 2023

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Financave, Punës dhe Tranfsereve, Hekuran Murati u intervistuan pas rrahjes së djeshme në Kuvendin e Kosovës.

Intervistimi i tyre u bë me ftesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Burime të KosovaPressit brenda prokurorisë bënë të ditur se Bislimi dhe Murati u dëgjuan dje, derisa ftesës nuk iu përgjigj deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

Po ashtu, sipas burimeve, bëhet e ditur se intervistimi dhe veprime të tjera hetimore do të zhvillohen gjatë ditëve në vijim.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar dje se Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, lidhur me incidentin, i cili ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës.

Ndryshe, gjatë fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, deputetë e ministra janë përfshirë në përleshje fizike.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në drejtim të foltores së Kuvendit, Mërgim Lushtaku ka hedhur ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Ky i fundit e ka hedhur shishen në drejtim të tij. Më pas, Lushtaku e ka shtyrë ministrat Hekuran Murati dhe Albulena Haxhiun. Kjo e fundit është dëgjuar të thotë “a je normal”.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thirrur Policinë brenda sallës së parlamentit./KosovaPress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!