Vërini fëmijët të pikturojnë për të kuptuar nëse ata po ju fshehin diçka. Psikologët i sugjerojnë prindërve të lexojnë me kujdes çfarë të vegjlit hedhin në fletë që nga mënyra ku vendosin figurën e deri tek ngjyrat që përdorin. Përmes terapisë së artit dhe lojës ata mund të kuptojnë ndjesitë e tyre e a janë dhunuar apo jo?
“Një fëmijë e ka shumë më të thjeshte të vizatojë, të ngjyrosë, të zhgarravisë, ta grisi një letër në momentin që është agresiv se të verbalizoi. Përdorin zakonisht ngjyrat e zëna, psh lejla, të zezë, të kuqe të fortë. Vizatojnë figura të dhunshme, përdorin filmat vizatimorë. Kur i kërkohet ta shpjegojnë ata tregojnë se figurat janë duke u dhunuar dhe kupton që nëse nuk është vënë para ekranit e ka parë dhunë, në familje nuk sheh dhunë i bie që e vetmja dhunë është në ambjentin tjetër ku është çdo ditë”.
Nëse fëmija nuk flet me fjalë sjellja e tij do të flasë për të.
“Fëmijët e dhunuar zakonisht janë agresivë, janë mostolerantë ndaj gjërave qoftë dhe të vogla, tregohen protektiv qoftë dhe ndaj përkëdheljeve, prekjeve fizike, janë stopues ndaj gjesteve që mund të tregojnë dashuri. Në momentet që prindërit i shoqërojnë në kopshte refuzojnë të shkojnë. Një fëmijë që është i predispozuar të shohi dhunë do të sillet në mënyrë të dhunshme, do ta nxjerrë diku inatin, frustrimin, ose mund të bëhet shumë i nënshtruar, ka frikë autoritetin”.
Psikologët këshillojnë prindërit të ndërtojnë marrëdhënie të tilla me fëmijët në mënyrë që ata të mund të shprehen. Në këtë rast nuk ndihmon as një figurë autoritare e as neglizhente. Ndërsa pyetjet e drejtpërdrejta nuk janë të duhurat.
“Pyet si shkoi shkolla, si shkoi kopshti, çfarë ndodhi sot, a ndodhi ndonjë gjë e bukur apo jo e bukur. Duke bërë pyetje të përgjithshme për rutinën, fëmija edhe nëse ka për qëllim të mos tregojë se ndonjëherë ndjehen të kërcënuar do t’i shpëtojë një detaj që një prind duhet ta kapi”.
Fëmijët sipas psikologëve kanë forma të ndryshme për tu shprehur, pavarësisht kësaj ata kanë nevojë të ndjehen të kuptuar dhe prindërit duhet t’i tregojnë.
“Unë jam këtu për ty, nëse ti ke nevojë dhe nëse nuk ke nevojë unë jam këtu për ty. Duke i ofruar siguri, kur sheh mbështetje fëmija do nisë të hapet”./abcnews.al