Flamurtari do të zhvillojë dy ndeshje në fushë asnjanëse, si masë ndëshkimore për dhunën ndaj gjyqtarëve dhe zyrtarëve të ndeshjes, në përballjen me Vllazninë fundjavën e kaluar. Komsioni i Disiplinës ka vendosur edhe pezullime e gjoba për drejtues të klubit vlonjat.
Flamurtari do të zhvillojë dy ndeshje në fushë asnjanëse si kundërpërgjigje për dhunën ndaj gjyqtarëve dhe zyrtarëve të ndeshjes në përballjen me Vllazninë fundjavën e kaluar. Ndeshjet janë ato me Laçin dhe Partizanin. Klubi është penalizuar edhe me 1 milionë lekë gjobë për mos përmbushje të masave organizative.
Komisioni i Disiplinës nuk kurseu as zyrtarë të vlonjatëve në vendimet e publikuara të martën. Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi dhe drejtori sportiv, Ardian Ciruna janë pezulluar me 18 muaj nga aktiviteti për sulmin ndaj zyrtarit të ndeshjes.
Idrizi duhet të paguajë edhe 200 mijë lekë gjobë. Dënime edhe për stafin teknik ku trajneri Ardi Behari mbylli sezonin, pasi është pezulluar për 5 ndeshje, ndërsa ndihmësi Luan Birçaj për 2 sfida. Protestat dhe sjellja e tyre ndaj zyrtarëve të takimit nuk janë toleruar.
I mbetet Vasil Rucit të drejtojë Flamurtarin në përballjet e mbetura. Dënimeve të Komisionit të Disiplinës nuk ka shpëtuar as mjeku i ekipit, Ardian Luka i pezulluar për 8 ndeshje. Disiplina i zbriti edhe Tiranës 3 pikë nga klasifikimi i këtij sezoni, pasi nuk ka shlyer borxhin ndaj Gjergji Muzakës. Bardheblutë nuk rrezikojnë ngjitjen në Superligë, por masat do të ashpërsohem, nëse nuk paguhet ish-futbollisiti i tyre./abcnews.al