Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço ka shprehur kritika të forta lidhur me procesin e ndryshimeve mbi projektligjet për Paketën Fiskale 2022. Dhoma Amerikane shprehet se një pjesë e madhe e bizneseve anëtare, kanë reaguar me shqetësim për ndryshimet dhe së dyti koha e vënë në dispozicion nuk ka qenë e mjaftueshme që grupet teknike të zhvillojnë një analizë të plotë për të prodhuar komente të detajuara për draftin.
“U thye angazhimi publik për një paketë fiskale të qëndrueshme me ndërhyrje të paktën njëherë në katër vjet“. Gjithashtu Dhoma Amerikane rekomandon nisjen nga puna për hartimin dhe konsultimin e një ligji të ri për Tatimin mbi të Ardhurat, që të harmonizohet me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare të kontabilitetit.
Dhoma Amerikane shpreh shqetësimin mbi procesin dhe përmbajtjen e projektligjeve si më poshtë:
Thyerja e angazhimit publik për një paketë fiskale të qëndrueshme me ndërhyrje të paktën njëherë në katër vjet. Pasi komuniteti i biznesit ka shprehur shqetësimin e vazhdueshëm, mbi ndryshimet e shpeshta mbi paketën fiskale dhe tatimet, si dhe në përshtatje me praktikat më të mira botërore, zyrtarë të lartë duke përfshirë Ministrin e Financave, Kryeministrin, etj., janë angazhuar publikisht për ndryshime më pak frekuente të ligjit, njëherë në çdo 4-vjeçar. Për rrjedhojë, ky projektligj bie ndesh me angazhimet publike qeveritare, pritshmëritë dhe planifikimet financiare të komunitetit të biznesit dhe dëmton klimën e besimit reciprok mes sektorit publik dhe atij privat mbi angazhimet publike.
Shkelja e Përsëritur e Afateve të Ligjit mbi Konsultimin Publik. Dhoma Amerikane vëren e zhgënjyer se u njoftua mbi projektligjet e paraqitur nga Këshilli i Ministrave mbi paketën fiskale 2022, pasi ato ishin miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe ishin depozituar pranë Kuvendit. Kjo praktikë – fatkeqësisht e përsëritur – është në shkelje të ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin publik”, i cili i kërkon autoriteteve shtetërore t’i ofrojnë palëve të interesuara një periudhë kohore të përcaktuar për të shqyrtuar dhe ofruar rekomandimet e tyre në lidhje me projektligjin/et e propozuar.
Për arsyet e mësipërme, Dhoma Amerikane kërkon shtyrjen e afatit të projektligjeve, nëpërmjet zbatimit te ligjit nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin publik”, duke i lënë mundësi grupeve të interesit të ushtrojnë të drejtën e tyre duke u njohur me përmbajtjen e ligjit dhe ofrimin e sugjerimeve për përmirësimin e tij. Në vijim, Dhoma Amerikane shpreh bindjen se projektligjet kanë nevojë për përmirësim, i cili do të mundësohej pas reflektimit të rekomandimeve të komunitetit të biznesit. Një pjesë e problematikës është e bashkëngjitur.
Gjithashtu, Dhoma Amerikane rekomandon nisjen nga puna për hartimin dhe konsultimin e një Ligji të Ri për Tatimin mbi të Ardhurat, që të harmonizohet me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare të kontabilitetit. Periudha 4-vjeçare në dispozicion të një ligji të ri të tatimit mbi të ardhurat, do i jepte mundësi grupeve të punës të unifikonin taksimin e pagamarrësve dhe personave fizikë e tregtarë. Kjo ka qënë një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar të biznesit, i cili do sillte një frymë të re në Investimet e Huaja Direkte, harmonizimin me standardet ndërkombëtare dhe krijimin e kushteve për uljen e informalitetit.
/ Abcnews.al