Dhjetra ushtarë të vrarë në Siri, hakmerret ashpër Turqia

schedule09:28 - 2 Mars, 2020

schedule 09:28 - 2 Mars, 2020

Media shtetërore siriane “SANA” njoftoi të dielën se forcat turke vunë në shënjestër dhe rrëzuan dy aeroplanë sirianë të cilët po fluturonin mbi rajonin e Idlibit. “SANA” njoftoi se pilotët u ulën të sigurt në tokë me parashutë.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Britani, tha se të dy avionët u rrëzuan mbi territorin që ka nën kontroll regjimi, me gjasë pas goditjes nga aeroplanët turq F-16.

Ministria turke e Mbrojtjes tha se aeroplanët u vunë nën shënjestër pas rrëzimit të një prej dronëve të forcave ajrore turke.

Qeveria siriane njoftoi se do të mbyllë hapësirën e saj ajrore për çdo fluturim avioni apo droni në veriperëndim të vendit. Ushtria siriane njoftoi se avionët që do të përpiqen të hyjnë në hapësirën e saj ajrore do të konsiderohen “të rrezikshëm” e “do të rrëzohen”.

Provinca Idlib është pjesë e territorit të fundit sirian që mbahet nën kontroll nga rebelët e mbështetur nga Turqia. Në shkurt në këtë zonë u vranë 55 ushtarë turq.

Përplasjet e fundit në Siri vijnë ndërsa janë rritur tensionet mes Turqisë dhe Rusisë, vendet që mbështesin krahë kundërshtare të luftës civile në Siri.

Të dielën, ministria turke e Mbrojtjes tha që megjithëse vendi “po vazhdon” me sukses operacionin e saj ushtarak në veriperëndim të Sirisë kundër regjimit të Damaskut të mbështetur nga Moska, qeveria turke nuk “dëshiron apo synon të përleshet me Rusinë”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!