Dhjetë pisoleta drejt Sarandës, Prokuroria zbulon të tretin e grupit, arrestohet dhe lihet në burg

schedule15:32 - 16 Nëntor, 2024

schedule 15:32 - 16 Nëntor, 2024

Prokuroria e Sarandës ka arritur të identifikojë një person të tretë të përfshirë në transportin e 10 pistoletave, të kapura dy muaj më parë në aksin Kardhiq – Delvinë. Prokurorja Hava Memko, pas rreth dy muaj hetime, ka lëshuar një urdhër arresti duke kërkuar në Gjykatë caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, e cila është vendosur sot edhe nga Gjyqtari Mikel Hysometaj, për 25-vjeparin nga Këlcyra Fabian K. Ky i fundit është arritur të kapet nga policia e Përmetit të enjten e kaluar dhe është sjellë në Komisariatin e Sarandës për t’u vënë në dispozicion të hetimit. Burime pranë grupit hetimor tregohen të rezervuara për rastin, ndërkohë që paraditen e së shtunën, 25-vjeçari  është njohur në Gjykatën e Sarandës me masën e sigurisë “Arrest në burg” të caktuar në mungesë ndaj tij. Pas marrjes në pyetje, Gjyqtari Hysometaj ka vendosur vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” pasi nuk rezultoi asnjë rrethanë e re që nuk ishte mbajtur parasysh nga Gjykata më herët në caktimin në mungesë të masës së sigurimit. Fabian K. nuk ka pranuar të japë shpjegime në seancën për vlerësimin e masës së sigurimit.

Në 13 shtator, policia e Sarandës, në aksin Kardhiq-Delvinë, ndaloi automjetin tip “Nissan” me targa AA827SV, brenda së cilës gjeti dhe sekuestroi një qese plastmasi ku ndodheshin 10 armë zjarri pistoletë tip “Glock”. Brenda qeses u gjetën dhe sekuestruan gjithashtu edhe tre kuti kartoni me qese plastike të tejdukshme, me mbishkrimet “Hondgun 38050 centerfire pistol cartidges”, ku në brendësi të tyre kishte 150 fishekë me kapsollë të pa goditur, me markirovka të njëjta PPU 380 AUTO. Në mjet u sekuestruan edhe 250 euro.

Në prangat e policisë ranë 23-vjecari Klaudio Osmani, punonjës në zjarrfikësen e Këlcyrës dhe 24-vjecari Mehmet Canaj, të dy banues në Këlcyrë. Pas arrestimit të tyre, policia tha se destinacion i pistoletave ishte Saranda, por pa deklaruar nëse do shiteshin në qytet apo do trafikoheshin drejt Greqisë. Nuk dihet se cfarë hetime shtesë ka kryer Prokuroria e Sarandës që ka cuar në identifikimin e 25-vjecarit Fabian K. si bashkëpunëtor i dy të arrestuarve të parë, por për shkak të sekretit hetimor informacionet lidhur me këtë procedim mbeten të pakta për median./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!