Dhimbja për shembjen e TK, Kapexhiu: Në hapësirën midis dy teatrove mund të ndërtohej një i ri

schedule09:02 - 19 Maj, 2020

schedule 09:02 - 19 Maj, 2020

Regjisori, aktori Bujar Kapexhiu në “ABC e mëngjesit” ka folur për shembjen e Teatrit Kombëtar”, duke e konsideruar një goditje të shëmtuar.

Artisti ndërsa është shprehur me një dhimbje për vendimin që shembi Teatrin Kombëtar, ndërsa u shpreh se dhuna, egërsia prodhohet nga lart.

Gjithashtu ai ka ndarë idenë e tij duke theksuar se në hapësirën midis dy teatrove mund të shtohej një teatër i ri.

“Dy godinat duhet të ruheshin, të restauroheshin dhe mund të qëndronin fare mirë. Kam qenë i mendimit se këtyre dy teatrove u mungonin shumë ambiente dhe besova që duke qenë me këto mangësi midis tyre të lidheshin me një arkitekturë , mund të krijoheshin të gjitha ambientet që mungonin. Mund të kishim një kompleks teatror”, u shpreh ai.

Duke treguar edhe shembuj të Institucioneve që nuk janë shembur Kapexhiu shprehet se Teatri Kombëtar kishte mundësinë të restaurohej.

“Kemi shembuj në Tiranë. Ishte Bashkia, u bë kryetar Bashkie Edi Rama, mesa duket duke qenë shtat i lartë këmbët i dilnin jashtë dhe shtoi pjesën pasme të Bashkisë. Shembulli më i bukur është edhe Banka, ishte në gjysmë harku u bë edhe gjysmë harku tjetër dhe u bë në mënyrë rrethore, mjediset u shtuan brenda stilit. Përse të mos bëhej edhe kjo për teatrin?”, tha Kapexhiu.

Më tej ai theksoi se dhuna e përdorur gjatë protestës ishte e papranueshme.

“Këta e kanë cilësuar vetën shërbëtor, por në fakt janë kthyer në pronarë. Gjatë protestës kishte ndërhyrje të dhunshme. U sulën ndaj grave, ndaj vajzave. Më duket e papranueshme, e gjithë ajo egërsi. Me këta policë duhet të jesh i zemëruar. Kur shikoj tani një polic në rrugë, i bëj pyetjen vetes,- po ky a ka qenë te teatri? I shikoj me përçmim, më duket një njeri i dhunshëm”, u shpreh Kapexhiu.

Gjatë intervistës me gazetarin Enkel Demi ai theksoi se teatri duhet të jetë vetëm teatër.

“Kam qenë i mendimit që godina të rikonstrukturohej. Nuk ka nevojë Tirana për momentin për gjithë këtë vendim. Nuk duhet të harrojmë funksionalitetin. Për çfarë duhet Teatri “veror” , kjo ide është një absurditet. Më vjen keq që kam menduar që Shqipëria dhe Tirana është e imja, sot jo. Sot është e një bande. Por edhe ata harrojnë se janë të përkohshëm”, tha më tej Kapexhiu./abcnews.al