Shaniko është vetëm 12 vjeç, dhe jeta e saj varet nga gjaku i dhuruar.
Ishte foshnjë tre muajshe, kur prindërit e saj mësuan sëmundjen e rëndë gjenetike të së bijës, Talaseminë.
Prej 12 vitesh Barjam Nela, babai i Shanikos, së bashku me të bijën paraqiten dy herë në muaj në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për të marr gjak, pa të cilën e mitura nuk jeton dot.
“Ka ardhur të marr gjak…. Vajza është 12 vjeç. Është anemike edhe merr gjak dy herë në muaj. Me 9 prill duhet të vij prap. Ka raste njëherë në muaj, ka raste dy herë. Njëherë mos ta marr, i shkon gjaku zero.”
Barjami thotë se bashkë me Shanikon ka edhe 2 fëmijë të tjerë, ndërsa në fshatin Kalivaç të Tepelenës jeton në kushte të vështira ekonomike, edhe për arsye se në familjen e tij me 5 anëtarë është i sëmurë me probleme të shëndetit mendor edhe djali i madh, vetëm 20-vjeç.
“Jam vetë i pesti, ata nga unë shikojnë të hajn e të pijnë. Kam dy çuna, vajzën edhe nusen. Kam fëmijë të tjerë, kam edhe një të sëmurë. Ai është i sëmur nga shëndeti mendor. Është 20 vjeç”.
Barjami na tregon se vetëm me punën e tij, ku të gjej edhe me solidaritetin e të tjerëve, arrin të ushqejë familjen, ndërsa bashkëshortja duhet të kujdeset për djalin e sëmurë.
“Unë punoj çfarë të dal, bëj dru,,, punë fshati. Në ditë marr 10-15 mijë lek, më marrin ustallarët për sëvap për të nxjerr bukën. Ajo mban djalin në shtëpi se ai ikën në drejtim të paditur”.
Historia e prindërve të Shanikos, është histori simbol e atyre familjeve, ku sakrificat sublime të prindërve për fëmijët janë të pafundme./abcnews.al