Dhëndri i ish presidenti amerikan, Donald Trump ka shprehur interesin për të investuar në Shqipëri, gjq që ka sjellë mjaft diskutime. Në një intervistë për Bloomberg, biznesmeni Jared Kushner deklaroi se projektet e tij përfshijnë ndërtimin e resorteve turistike në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec të Vlorës.
Duke folur për këtë temë në emisionin “360 gradë”, avokatja Enida Bozheku tha se është pro iniciativave të tilla por shtoi se është e rëndësishme që të ketë transparencë nga qeveria për publikun.
“Jam pro këtyre iniciativave sepse ne nuk kemi një vend i fuqishëm që të arrijmë të zhvillojMë vetë ato që mund të jenë resurset tona dhe të vijë një investim në një vlerë rreth 1 miliardë dollarë në një nga ishujt më të bukur të Mesdheut dhe për të ruajtur atë që është biodiversiteti i atij ishulli, unë e shoh pozitivisht. Vërtet ishte një ishull që shërbente në aspektin strategjik sepse është demilitarizuar. Të investohet në një ishull që mund t’i sjellë Shqipërisë, dhe duhet parë edhe transparenca e komunikimit sepse këtu është problemi që është krijuar, se sa transparente është qeveria me publikun për një pasuri kombëtare. Duhen sqaruar thjesht detajet por parimisht jam dakord”, u shpreh Bozheku.
Ish piloti Agim Nanaj thotë se ishulli do të jetë sa turistik aq edhe ushtarak.
“Na gëzon pohimi i kryeministrit që shtron problemin se asnjëherë nuk do të ketë tjetërsim të pronave. Do të jenë prona shqiptare, nuk do të shiten, çështja është që të jepet në një procedurë reale. Do të jetë një ishull sa turistik aq edhe ushtarak. Nuk mendoj se mund të bëhet një ndryshim i tillë, është një ishull i madh, edhe për të pasur turizmin, edhe për të pasur funksionin si një avanpost në detin Adriatik”, u shpreh Nanaj.
Ndërkohë analisti Eduart Zaloshnja shtoi:
“Për mua, Rama sheh një mundësi jo të vogël, madje të madhe, që Trump të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë dhe dhëndri dhe vajza e tij, dhe Richard Grenell që është një nga njerëzit që ka prob më të madh që të jetë sekretar i shtetit nëse trump të shkojë në shtëpinë e bardhë. Ivanka, Kushner dhe Grenell kanë ardhur dhe kanë një fond prej 3 miliardë dollarësh, ku kanë financuar 2 miliardë fondi shtetëror i Arabisë saudite dhe 1 miliardë Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat do t’i investojnë në vende të ndryshme, dhe nga vendet që kanë parë në Shqipëria, iu kanë tërhequr vëmendjen Sazani dhe Zvërneci janë dy zona ku mund të bëhen resorte luksoze.”/abcnews.al