Bledi Shkëmbi qëndron pushim prej datës 14 dhjetor. Humbja kundër Kukësit në kampionat, qëlloi fatale për trajnerin korçar dhe aty mori fund aventura e tij me Teutën. Shkëmbi do të rikthehet një ditë te Skënderbeu i tij i dashur, tashmë në rolin e trajnerit, por po pret momentin e duhur për ta bërë.
Gjatë një rrëfimi për “Fan Zone” në Supersport, Shkëmbi zbulon edhe një prapaskenë interesante me Bledar Devollin, të cilit iu desh të durojë tërbimin e tifozëve të tij për veprimin e bërë.
IZOLIMI – “Duhej kjo karantina që të frekuentoja shtëpinë në fshat. Isha në momentin e duhur trajner te Teuta dhe do jem në momentin e duhur te Skënderbeu.

DEVOLLI – “Unë mbaj mend një moment kur kam qenë kundërshtar me Devollin në ndeshjen Flamurtari-Skënderbeu. Në një moment unë marr një ndërhyrje të fortë dhe bie pa simuluar. Dëgjova që asnjë lojtar nuk po e nxirrte topin jashtë dhe e bëri Devolli, të cilin më pas nisën ta shajnë të gjithë tifozët në kor”.
E ARDHMJA – “Na pret një karrierë e gjatë në vazhdim. Sigurisht që kam gabuar si trajner dhe sigurisht që do gaboj në të ardhmen. Shpresoj që sezonin e ardhshëm të jemi trajnerë të një ekipi, unë dhe Devolli”.
I PREFERUARI – “Janë disa trajnerë që më pëlqejnë. Ka patur disa trajnerë shqiptarë të mirë, por nuk mund të them një si më të mirin”. /abcnews.al

