Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ditën e djeshme ka deklaruar në Facebook se kryeministri Rama po pret vetëm largimin e Presidentit Meta për të realizuar marrëveshjen e detit me Greqinë.
I ftuar në studion e “Abc Live” në Abc, Vasili u shpreh se Edi Rama nuk mund të vendosë për kufijtë e Shqipërisë.
Vasili: Presidenti ri duhet të ulet në karrige pastaj duhet të fillojmë të flasim për këtë. Marrëveshja e detit ka shumë qartësi nga ana greke, dhe errësirë nga pala shqiptare. Kemi një deklaratë shumë të rëndë të Dendias i cili thotë e jemi marrë vesh për gjithçka me Ramën ,por na pengon Presidenti. Ndërkohë shumë shpejt do kemi një president të ri. Edi Rama ka kërkuar në vijimësi të marrëveshjes që vdiq në 2010 të krijojë një marrëveshje të re. Nëse humbasim kufijtë territorialë çfarë shteti jemi ne? Kush ja ka dhënë këtë të drejtë Edi Ramës të shkojë në Hagë? Qeveritë vijnë dhe ikin, kufijtë janë atje. Të diskutohet integriteti territorial i Shqipërisë? Por pse diskutohet? Sepse është një zonë e rëndësishme ekonomike dhe duan ta rrëmbejnë. Kufijtë e Shqipërisë në dorë të kujt janë? Në dorë të Ramës? Jo nuk janë në dorë të tij, nuk janë në dorë të asnjë qytetari. Dhe nuk kanë për të qenë kurrë të asnjë kryeministri.
A do jetë Begaj noter i Ramës për çështjen e detit?
Vasili: Nuk kam për të thënë asgjë më shumë, por një President i zgjedhur në mënyrë të njëanshme, ju e keni dëgjuar Ballën që thoshte do ta zgjedhim vetë. Deri në 84 vota Presidenti është i njëanshëm. Ky është President i Edi Ramës./abcnews.al/