“Deti” në Hagë, Pashaj për Abcnews.al: Jam kundër, por besoj gjykatën, jo teknikët shqiptarë

schedule17:22 - 20 Tetor, 2020

schedule 17:22 - 20 Tetor, 2020

Koloneli i njohur Myslim Pashaj, që denoncoi marrëveshjen e ndarjes së kufirit detar Shqipëri-Greqi në vitin 2009, e cila më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese komentoi në një intervistë për Abcnews.al vendimin e ri të dy vendeve për t’iu drejtuar Hagës për të zgjidhur përfundimisht këtë çështje.

Ai u shpreh se vizita e ministrit të Jashtëm grek sot në Tiranë ishte me interes, por shton se nuk arrin që të kuptojë se përse u shkua kaq shpejt në Hagë, ndërsa dy vendet vijuan negociatat për dy vite. Koloneli pozicionohet kundër, pasi e shikon dërgimin në Hagë si të parakohshëm.

Vizita e ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias në Shqipëri pritej me interes. Por nuk e di se përse nuk u ezauruan të gjitha shkallët, pasi u negociua për më shumë se dy vite për çështjen e kufirit detar, por palët shkuan në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës” tha ai.

Tashmë që përballja nuk do të jetë më direkte mes palëve, por do të jetë gjykata e Hagës që do të vendosë, Pashaj pikën e dobët e shikon te grupi i teknikëve shqiptarë.

Domosdo më shumë besim kam te teknikët e gjykatës së Hagës, që bazohen te e drejta ndërkombëtare, sesa te teknikët që do të përbëjnë grupin shqiptar. Plus që një rol të rëndësishëm luan edhe avokati, por edhe lobimi. Duhet të mbrohet vendimi i gjykatës Kushtetuese që rrëzoi marrëveshjen me Greqinë në 2009” tha ai.

Por a do të kërkojë kjo shumë kohë? “Jo, puna është te njerëzit, teknikët dhe materiali që ata do të paraqesin. Një problem në vete për shembull është Gjiri i Sarandës.

Grupi që do të përfaqësojë Shqipërinë duhet të përbëhet nga njerëz shumë të aftë që e njohin çështjen, por duke parë atë që ka ndodhur nga viti 2009 dhe këtej në këto 11 vite nuk kam besim” tha ai.

I pyetur nëse është e nevojshme një ekspertizë nga një palë e tretë për të ndihmuar, ai e mohoi. “Fokusi duhet të jetë te teknikët dhe avokati që do të na përfaqësojë në Hagë, ku tashmë do të vendoset përfundimisht për detin” përfundoi ai.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias e njoftuan sot vendimin që për zgjidhjen e çështjes së kufirit detar do i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!