DETAJET/ Si ndodhi vrasja në Tiranë, 49-vjeçari u qëllua me 9 plumba, tentoi të godasë autorin me tavllën e duhanit

schedule07:51 - 17 Dhjetor, 2022

schedule 07:51 - 17 Dhjetor, 2022

Edmond Papa sapo ishte ulur në lokal kur u qëllua me 9 plumba nga një person i maskuar dhe ende i paidentifikuar. Edhe pse 49 vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës, nuk mundi ti mbijetojë plagëve të marra në trup.

Biznesmeni me origjinë nga Rroskoveci i Fierit, jetonte mes Sarandës dhe Anglisë.

Mesditën e së premtes ai kishte ardhur në Tiranë tek vëllai i tij, që banonte pak metra larg lokalit ku u qëllua për vdekje.

Dëshmitarët okularë i treguan policisë se 49 vjeçari iu kundërpërgjigj autorit, duke e qëlluar me tavllën e duhanit që kishte në tavolinë.

Atentatori i veshur me të zeza mundi të largohej menjëherë prej andej në këmbë përmes disa rrugicave në zonë. Dyshohet se më pas ai mund të jetë ndihmuar nga persona të tjerë për tu larguar me ndonjë mjet.

Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie. Edmond Pjetri, shef i komisariatit nr 2 sqaroi se si ndodhi krimi.

Krahas postoblloqeve të ngritura në hyrje-dalje të Tiranës, jashtë lokalit, policia kreu kontroll edhe në mjetin G Class me targa AB 001 GG të viktimës.

Vrasja e Edmond Papës po hetohet në dy pista. Ajo e konflikteve të mundshme për shkak se 49 vjeçari zotëronte disa prona në Ksamil, si dhe hotelin Blu Sky në Sarandë.

Pista e dytë janë konfliktet për drogën. Edmond Papa është dënuar në Greqi për trafik të lëndëve narkotike. Po për të njëjtën vepër penale, dyshohet edhe nga autoritetet në Angli.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!