Ka rinisur seanca gjyqësore për Ilir Metën. Kryetari i Partisë së Lirisë, pritet të njihet nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) me masën e sigurisë.
Gazetari Ermal Vija ka siguruar për ABC NEWS një video ku Ilir Meta shihet ndërsa qëndron i ulur mes efektivëve të policisë, ndërsa Monika Kryemadhi hyn në sallën e gjyqit.
Avokatët e Metës kërkuan kërkuar kohë të njihen me dosjen. ABC News mëson se Meta ka debatuar ashpër me prokurorët në sallën e gjyqit.
Gazetari Ermal Vija tha për ABC News se kreu i PL ka debatuar ashpër me prokurorët në sallën e gjyqit, ndërsa ka lëshuar fjalë fyese ndaj kreut të SPAK. Gazetari Vija tha se Ilir Meta lëshoi akuza ndaj Dumanit për hetimet ndaj tij dhe caktimin e masës së sigurisë, duke përdorur të njëjtën retorikë të përdorur prej tij në konferencat për media. Sakaq të tre prokurorët nuk kanë kthyer asnjë përgjigje ndaj akuzave të Metës në sallën e gjyqit.
Mësohet se në seancë ishin të tre prokurorët që firmosën arrestimin e tij, përkatësisht Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi.
Ilir Meta u vu në pranga mesditën e së hënës në Tiranë, ndërsa akuzohet për pastrim parash, korrupsion pasiv dhe mosdeklarim pasurie.
Ai po kthehej me makinë nga Kosova, ndërsa në hyrje të kryeqytetit, agjentët dhe oficerët e policisë ndërhynë dhe e shoqëruan në drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe prej andej në bllokun e sigurisë.
SPAK njoftoi zyrtarisht se Meta në kohën që mbante postin e ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës ka ndërhyrë për lidhjen e kontratës mes kompanisë DIA dhe CEZ për mbledhjen e borxheve, duke përfituar vlera monetare nga administratori i kompanisë DIA Kastriot Ismailiaj edhe pse kompania e tij nuk përmbushte kriteret për mbledhjen e borxheve.
Sipas SPAK, Meta dhe Kryemadhi gjatë vitit 2014-të kanë ndikuar tek disa drejtues të institucioneve shtetërore si dhe drejtues të disa kompanive të telefonive celulare me qëllim futjen ne tregun e fibrave optike dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis një kompanie private dhe një kompanie celulare. Për këtë marëveshje çifti
Meta-Kryemadhi kanë përfituar para në përqindje nga fitimi i kompanisë, e cila i ka pajisur edhe me karta krediti. Po kështu, Meta dhe kryemadhi rezultojnë të përfshirë në një tjetër episod korruptiv duke marrë përsipër dhe duke ndryshuar në Kuvendin e Shqipërisë një ligj për një biznesmen dhe kanë përfituar prej tij përkohësisht një vilë.
SPAK thotë se Ilir Meta nuk ka deklaruar një shumë prej më shumë se 463 mijë dollarësh për lidhjen e një kontrate lobimi mes lsi dhe një kompanie lobuese në shtetet e bashkuara të amerikës.
Po kështu blerja e një apartamenti dubleks në zonën e ish-bllokut nga Meta dhe Kryemadhi dhe nëna e kësaj të fundit Fatime Kryemadhi ka dyshime se është belrë me para që burojnë nga korrupsioni./abcnews.al