Detaje të reja për trafikun e drogës të drejtuar nga Neroid Shuhani

schedule18:03 - 30 Nëntor, 2017

schedule 18:03 - 30 Nëntor, 2017

Mediat italiane kanë publikuar detaje të reja për grupin e narkotrafikut të goditur në Breschia dy ditë më parë. Sipas tyre, në krye të bandës ishte shqiptari Neroid Shuhani.

Dalin në pah detaje të reja dhe lidhje mes zhdukjes së baristit breshian Roberto Braki dhe rrjetit të drogës në qytet, ndërkohë që policia italiane ka sekuestruar më shumë se 27 kuintalë marijuanë të fshehur në një kamion në periferi të Romës dhe më shumë se 3 kilogramë kokainë në banesën e një 50 vjeçari italian i cili kishte rolin e magazinierit. Autoritetet italiane kanë lëshuar 19 urdhër arreste, ndërsa 14 persona janë arrestuar tashmë, dy në arrest shtëpie dhe tre me detyrim paraqitje. Mes të arrestuarve janë dhe tre grabitësit e zyrës së postës në Maklodio
Hetimet nisën me zhdukjen e Roberto Bracchi, baristi që sot do të ishte 56 vjeç e që drejtonte barin Xhardino në bresha. Duke hetuar për zhdukjen e tij policia italiane ra në gjurmë të një trafiku ndërkombëtar droge të llojit marijuanë. Droga vinte nga Shqipëria, transportohej deri në brigjet e Kalabrisë me gomone të fuqishme dhe më pas me kamionë dërgohej në Lombardi e Breshia. Por kishte dhe kokainë që vinte nga Holanda e futej në Itali nëpërmjet automjeteve.

Droga më pas dërgohej në banesën e magazinierit të rrjetit. Kreu i këtij rrjeti është 38 vjeçari shqiptar Neroid Shuhani, dhe krahu i tij i djathtë 51 vjeçarja nga Bresha Daniela Bonioti. Kjo e fundit ishte ortake në biznes me baristin e zhdukur si dhe ish e fejuara e tij.

Familjarët e baristit të zhdukur kishin pranuar para hetuesve italianë se 56 vjeçari shpërndante drogë, një fakt i pohuar dhe nga ish e fejuara e tij e cila pretendonte se ajo vetë kishte dalë nga ky rrjet dhe nuk merrej më me shpërndarjen e drogës.
Por gjatë hetimeve u zbulua se gruaja gënjente pasi shumë shpesh ishte pranë Shuhanit dhe kur ky i fundit lëvizte sidomos në Holandë për të bërë marrëveshjet për shitjen dhe blerjen e drogës. Mes krerëve të organizatës kriminale figuron dhe Luan Shuhani, vëllai i Neroidit, si dhe Robert Kasemi nipi i tij.

Hetuesit italianë konfirmojnë se rrjeti ishte i mirëorganizuar kishte rrënjë të forta në zonë, madje ishte paguar dhe një ekip avokatësh shumë të mirë në rast se do të kishte ndonjë proces.
Bisedat telefonike bëheshin me numra celulari që më pas hidheshin pra përdoreshin vetëm njëherë, por gjithësesi këto biseda janë përgjuar nga policia. Ndër këto përgjime dëgjohet dhe Daniela Boniotti, e cila propozonte për shitje marijuanë me 3200 euro kilogramin, ndërsa çmimet e kokainës ishin të negociueshme në bazë të sasisë që klientët do të blinin./abcnews.al