Detaje nga vizita e Charles Michel: Platformë politike për vende jo anëtare në BE

schedule08:48 - 22 Maj, 2022

schedule 08:48 - 22 Maj, 2022

Presidenti i KE, Charles Michel, tha në Tiranë se në situatën e krijuar nga agesioni rus ndaj Ukrainës integrimi europian ka nevojë për mënyra inovative, përtej modeleve tradicionale.

“Përballë situatës së krijuar nga agesioni rus ndaj Ukrainës integrimi europian ka nevojë për mënyra inovative, përtej modeleve tradicionale, ka nevojë për stimuj të rinj, që të përshpejtohet procesi i integrimit europian.” – deklaroi Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel gjatë një vizite në Tiranë. Si një mënyrë të tillë për vendet që nuk janë ende anëtarë të BE, ai paraqiti krijimin e një “Platforme Politike.”

“Objektivi ynë kryesor është t’i japim energji të reja procesit të integrimit në BE. Është shumë e rëndësishme të mos presim vendimin përfundimtar për anëtarësimin në BE por të kemi një platformë politike që mungon. Ky nuk është një justifikim tjetër, që të shtyjmë procesin, përkundrazi është që t’i japim një shtysë më të madhe politike bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës”, tha Charles Michel.

Ai theksoi se “duhet të përfshijmë në nivel politik të gjithë udhëheqësit që t’i kemi së bashku me 27 udhëheqësit e BE-së. Këtë qasje duhet ta zbatojmë menjëherë pa pritur aspak një vendim përfundimtar për anëtarësimin në BE”.

Kryeministri Edi Rama e vlerësoi të nevojshme një “Platformë Politike” për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor,(BP) “në mënyrë që Bashkimi Europian të kapërcejë këtë fazë kur e gjithë marrëdhënia jonë me BE kalon vetëm përmes procesit të integrimit europian, të kapitujve dhe të hedhur një hap më tutje për t’u afruar politikisht shumë më pranë BP”.

“Në parim flasim për një integrim të menjëhershëm në aspektin politik, që do të thotë në aspektin e pjesëmarrjes së vendeve tona në tryezat europiane, në proceset e përgatitjeve të vendimmarrjeve që lidhen me sigurinë, përballimin e krizave që na prekin bashkërisht, në mënyrë që të bashkëjetojmë si një komunitet i njëjtë, ku brenda tij vendet kanë edhe detyrimet e tyre. Nëse vendet e Bashkimit Europian kanë një numër të caktuar detyrimesh si anëtarë të plotë të Bashkimit Europian, ne kemi të tjera detyrime sepse nuk jemi ende anëtarë të plotë”, tha kryeministri Rama.

Platforma politike, anëtarë të asociuar në BE

Presidenti i KE, Charles Michel, prezantoi në Tiranë edhe idene e “anëtarëve të asociuar ” me BE që e cilësoi ” shumë të afërt me atë të “Platformës politike.”

“Idenë e anëtarëve të asociuar në BE dëshirojmë të fillojmë sa më shpejt të jetë e mundur. Dëshirojmë të kemi formatet e duhura, që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, të njihemi më mirë me njëri-tjetrin, të kuptojmë se cilat janë mundësitë, vështirësitë, sesi mund të kujdesemi për njëri-tjetrin, të jemi shumë konkretë dhe operacionalë, ” tha Presidenti i KE.

Kryeministri Rama tha se “ideja e anëtarëve të asociuar të Bashkimit Europian po merr shumë mbështetje”

Ai e lidhi idenë e “anëtarëve të asociuar në BE” me vizionin e Presidentit francez Macron për “Komunitetin politik europian” të paraqitur në fillim të këtij muaji, (09.05) në konferencën ” E ardhmja e Europës” lidhur me nevojën e “organizimit të Europës nga një perspektivë politike me mund/ësi më të gjera sesa ato të Bashkimit Europian, ” si pasojë e luftës në Ukrainë.

“E mbështes plotësisht vizionin e Presidentit të Francës, Një komunitet të ri politik europian, ku të jenë të përfshira jo vetëm vendet e Bashkimit Europian si anëtarë, por dhe vende të tjera jo anëtare. Për sa na takon neve, jemi shumë më afër Bashkimit Europian. Nëse do të vijë dita të jemi anëtarë të asociuar të Bashkimit Europian, kjo u jep fund të gjitha spekulimeve, teorive të konspiracionit, që Bashkimi Europian na mban larg” tha kryeministri Rama në konferencën e përbashkët për shtyp.

Shqipëria i ka mbushur të gjitha kushtet për hapjen e negociatave por….

Presidenti i KE Charles Michel e vlerësoi Shqipërinë si “një partnere të besueshme dhe një mike dhe aleate të vërtetë të BE”.

“Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe bisedat për anëtarësim duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur,” tha ai të premten në Tiranë.

Ai theksoi se nuk është “100 perërqind i sigurtë që 27 shtetet anëtare duhet të marrim një vendim të përbashkët, por unë kam vendosur që këtë çështje ta diskutojmë në takimin e Këshillit Europian, në qershor. Do të bëjmë çdo gjë që është e mundur që negociatat e anëtarësimit të fillojmë sa më shpejt, ” theksoi ai.

Kryeministri Rama tha se ” shpresojmë që Bullgaria të hapë rrugën që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, (MV) të fillojnë negociatat formale. Në rast se kjo nuk do të ndodhë gjatë presidencës franceze, që përfundon në qershor, Shqipëria duhet të kërkojë të dalë nga rrezja e konfliktit që Bullgaria ka hapur me Maqedoninë e Veriut.”

Presidenti Michel e cilësoi një kërkesë të tillë të kryeministrit Rama “plotësisht të arsyeshme dhe të përligjur.” /DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!