Detajet/ Kushtoi 7 mln lekë e përfundoi në plehra, zjarrfikësja ishte sajuar me karrige fëmijësh, nuk kishte as tub uji

schedule13:18 - 3 Nëntor, 2021

schedule 13:18 - 3 Nëntor, 2021

ABC ka zbardhur detaje nga dosja hetimore për një kamion me shkallë të zjarrfikëses së Durrësit që çoi në arrestimin e tetë personave.  Operacioni u realizua nga SPAK, në bashkinë Durrës, ndërsa tenderi për blerjen e shkallës ka kushtuar 7 milion lekë (70 milion lekë të vjetra).

Në dosjen e siguruar nga ABC thuhet se pavarësisht nga specifikimet paraprake në mjetin e blerë për një shumë të majme, në të nuk funksiononte asgjë.

Sipas dosjes konstatohet se dy nga anëtarët e grupit të specifikimeve teknike dhe përcaktimit të vlerës së fondit, kanë qenë edhe anëtarë të marrjes në dorëzim të auto-shkallës së zjarrfikëses. Bëhet fjalë për Muhamed Likaxhiu dhe Artan Taho. Këto dy persona kanë pasur dijeni se mjeti nuk i plotëson kushtet teknike dhe specifikat e kërkuara.

Lexo edhe: Operacioni i SPAK në bashkinë e Durrësit, kjo është shkalla që kushtoi 7 milion lekë: E hedhur në plehra

Konkretisht orët e punës tregonin në një manual elektronik që ishte në mjet, 9 mijë orë pune. Në fakt pjesa e shasisë nga poshtë ishte e ndryshkur dhe e dëmtuar. Mjeti nuk kishte kondicioner, nuk kishte gomë rezervë,  ishte me vetëm dy vende dhe në të ishte vendosur një stol fëmijësh për të thënë se kishte një vend të tretë.

Gjithashtu mjeti duhet të ishte me katër dyer pasi nëse do ishin tre vende ulur nënkuptohet që personi i tretë do kishte derën nga pas por në realitet mjeti i blerë shtrenjtë ka vetëm dy porta. Po ashtu një defekt tjetër i verifikuar ishte se mjeti i zjarrfikëses nuk kishte pjesën e shkallës të pajisur me tub uji të fiksuar i cili shërben për shuarjen e zjarreve.

E sikur të mos mjaftonin këto mjeti i zjarrfikësve nuk kishte as dokumentacionin, si katalog në gjuhën shqipe.

Kjo makinë zjarrfikëse tejet e amortizuar rezulton se dokumentacioni, për të cilën grupi i marrjes në dorëzim shprehet se e zotëron, konstatohet se nuk është në emër të shitësit, por në emër të operatorit tjetër konkurrues dhe jo fitues, shoqërisë R&R Group. Aktualisht makina prej më shumë se një viti qëndron e parkuar jo në ambientet e MZSH-së. Kjo makinë u refuzua për ta marrë në dorëzim nga Adriatik Velaj i cili ngriti edhe pretendimet se makina nuk i plotëson kushtet teknike të kërkuara .

Pas një kontrolli makina rezulton se aktualisht as nuk arrin të ndizet dhe as nuk është e pajisur me dokumentacionin për qarkullim në emër të autoritetit kontraktual apo MZSH-së për llogari të së cilës u ble.

Duket se kjo blerje makinë është realizuar vetëm për të siguruar fitimin ekonomik pasi mjeti është lënë të amortizohet pa kryer kurrë shërbimet e nevojshme.

Ndërkaq, shkallët kanë përfunduar në vendgrumbullimin e plehrave tek parku i autobusëve në qytet, ndërsa janë rrethuar me shirit.

Mes tetë të arrestuarve, gjashtë janë zyrtarë të bashkisë. Sipas njoftimit të SPAK dyshohet se këta persona në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë manipuluar garën për tenderin me vlerë të fondit limit prej 7 083 000 lekë në periudhën Maj-qershor 2020 për blerje auto- shkalle për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin.

Mes të arrestuarve janë Patriot Beqaraj, i cili ka qenë më herët drejtor i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore dhe gjatë procesit të tenderimit anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe dyshohet se ka favorizuar fituesin.

Zyrtari tjetër i lartë është Adriatik Velaj, drejtor i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri në bashkinë Durrës që ishte anëtar i grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit.

Lidhur me këtë ngjarje janë lënë në burg, Adriatik Velaj, Muhamed Likazhiu, Artan taho, Kastriot Beqaraj, Gjergj Markolaj, Indrit Marmuhaj, që janë të gjithë zyrtarë të Bashkisë. Ndërsa në burg nga firmat private janë lënë Albjon Bushi dhe Riza Sulaj.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!