SHËNGJIN- Mesditën e djeshme, në ambientet e brendshme të lokalit të tij në Shëngjin u qëllua për vdekje Ardian Nikulaj. Pavarësisht se orët kalojnë, Policia e Lezhës nuk ka ende asnjë person të dyshuar për këtë krim, ndërsa pistat hetimore deri tani nuk kanë dhënë asnjë rezultat për identifikimin e vrasësit.
Gazetari i ABC News, Gjergj Figuri, thotë se autori është larguar me një motoçikletë dhe se në fshatin Gjadër ka humbur gjurmët. Policia ka marrë në pyetje familjarë të një fisi tjetër në Balldre, pasi Nikulaj ishte në hasmëri me ta, por as kjo pistë nuk e ka qartësuar objektivin e policisë.
“Autori menjëherë pas ngjarjes ka përdorur të njëjtin mjet për t’u larguar. Ka humbur gjurmët në fshatin Gjadër. Policia po sheh se si personi ka hyrë në Shëngjin. Policia ende nuk ka një pistë konkrete të hetimit. Familja e Nikulaj kishte hasmëri me një tjetër fis në Balldre dhe as kjo pistë nuk ka dhënë rezultat, pasi kjo e verifikuar nga sistemi TIMS, që të rinjtë, dhe pjesa e madhe e tyre ndodhen jashtë vendit dhe kjo është e faktuar”, tha ai.
Grupi hetimor po kryen këqyrjen e telefonit të viktimës për të parë nëse ka pasur kontakte apo telefonata, që mund të hidhin dritë mbi rrethanat e krimit. Nikulaj lëvizte me makinë të blinduar, por sipas gazetarit, ai nuk kishte ndjerë një rrezik të tillë.
“Janë marrë telefonat e të ndjerit për të verifikuar nëse ka patur telefonata dhe mesazhe të shkëmbyera. Deri në këtë moment nuk është faktuar, ndërkohë viktima nuk kishte parë dhe ndjerë ndonjë rrezik duke qenë se ai e konsideronte veten një biznesmen dhe vazhdonte aktivitetin. Ai nuk fshihej gjatë lëvizjes së tij, ai dilte në Lezhë dhe Shëngjin. Përveç se lëvizte me makinë të blinduar, ai nuk lëvizte kurrë i shoqëruar apo të kishte eskortë”, tha ai./ n.m.abcnews.al