Dështon zgjedhja e Prokurorit të lartë në Podgoricë, nuk paraqitet asnjë kandidat

schedule16:20 - 28 Gusht, 2019

schedule 16:20 - 28 Gusht, 2019

Çështja e prokurorëve nuk është aktuale vetëm në Maqedoninë e Veriut, por DGE gjithandej në Ballkanin Perëndimor. në Mal të Zi kanë dështuar përpjekjet e autoriteteve që përmes konkursit të zgjedhin Prokurorin e lartë të Shtetit për shkak se nuk ishte paraqitur asnjë kandidat. Arsyet janë të natyrës politike dhe rezultat i mungesës së konsensusit mes mazhorancës e opozitës të cilat për këtë post të rëndësishëm mbajnë qëndrime të kundërta.

Këshilli i Prokurorisë i Malit të Zi ka bërë të ditur se në konkursin publik të shpallur këtë muaj për zgjedhjen e Prokurorit Suprem të Shtetit, Brenda afatit të përcaktuar nuk ishte paraqitur asnjë kandidat.

Ekspertët thonë se arsye për dështimin e përpjekje mund të jetë bindja e njerëzve se posti nuk është aq shumë çështje e profesionit, sa e marrëveshjes politike dhe problemeve të grumbulluara në drejtësinë malazeze. Zdravko Begoviq, kreu i Shoqatës së Avokatëve në Podgoricë i ka thënë Televizionit Shtetëror të Malit të Zi se arsye për këtë është momenti aktual politik nëpër të cilin po kalon vendi:

“Ajo pse unë konsideroj se askush nga avokatët, juristët, prokurorët dhe gjykatësit me autoritet nuk është paraqitur në këtë konkurs është fakti se zgjedhja e Prokurorit Suprem të Shtetit në Parlament është tejet e ndërlikuar dhe në momentin dhe ambientin aktual gati se është e pamundur”, shpjegon juristi i njohur malazez.

Rrjedhimisht në skenën e polarizuar politike të Podgoricës, kjo reflektohet njësoj si dhe në Maqedoninë e Veriut apo edhe në Shqipëri, edhe në punën e parlamentit dhe thuaja se është e pamundur marrja e vendimit me shumicën e dy të tretave.

Ekspertët paralajmërojnë se për caktimin e Prokurorit Suprem nevojitet një konsensus i gjerë, ndërkohë që tërheqin vërejtjen se zgjidhje nuk mund të jetë caktimi i një ushtruesi të detyrës.

Në Raportin vjetor të Komisionit Evropian për Malin e Zi thuhet se kjo republikë ish-jugosllave ka shënuar ‘përparim të kufizuar’ në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçmas kur është fjala për disa lloje të krimit të korrupsionit në nivel të lartë, si dhe për sundimin e së drejtës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!