Dështon vettingu në polici, Çuçi gati draftin për pezullim

schedule16:07 - 13 Shkurt, 2022

schedule 16:07 - 13 Shkurt, 2022

Nga Xhensila Kodra

Tre vite më parë, Vettingu në Polici u prezantua me bujë të madhe, se nga radhët e uniformave blu do të largohej çdo efektiv i inkriminuar, apo ata që kishin pasuri të pajustifikuar. Por, që prej 7 nëntorit të 2019-ës kur u mbajt seanca e parë, duket se ky proces ka vijuar me ritme tepër të ngadalta.

Në total, janë vetuar 62 subjekte, punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe ish SHÇBA-së, tashmë me emërtimin e ri, Agjenci e Mbikëqyrjes Policore.

Dy vite më pas, në Mars të 2021-it, ligji ndryshoi. Në Vetting do të dilnin fillimisht punonjësit e Shërbimit të Çështjeve të Brendshëm dhe Ankesave, e më pas ata të Gardës e Policisë së Shtetit. U hartua lista prioritare me 42 emra të ish SHÇBA-së që do të dilnin para komisionit për t’u hetuar lidhur me pasurinë, pastërtinë e figurës dhe anës profesionale.

Tashmë kur bëhet gati një vit, në sitë kanë kaluar vetëm gjysma e tyre, 22 subjekte. 16 prej të cilëve janë konfirmuar në detyrë, 3 janë dorëhequr, një u përjashtua dhe për dy të tjerë u vendos se duhet të ndjekin trajnime në Akademinë e Sigurisë.

Për shkak të ngadalësisë së këtij procesi, burime pranë Ministrisë së Brendshme bëjnë me dije për ABC se ky institucion është duke hartuar një projektligj për pezullim të Vettingut në Polici.

Që në nisje të procesit, para Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit dolën vetëm drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, por jo drejtues policie në qarqe, shefa komisariatesh apo sektorësh të ndryshëm. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!