Izraeli dhe Hamasi kishin 48 orë për t’iu përgjigjur planit të armëpushimit të paraqitur nga ndërmjetësit të dielën. Të dyja palët janë nën presion të madh dhe asnjëra nuk duket e gatshme të largohet e para nga tavolina e bisedimeve.
Plani nga SHBA, Egjipti dhe Katari kërkon një armëpushim gjashtë-javor, një shkëmbim pengjesh izraelitë dhe të burgosurve palestinezë, një rritje të ndihmave humanitare që hyjnë në enklavën palestineze dhe kthimin e banorëve të Gazës veriore në shtëpitë e tyre, sipas një burimi të Hamasit.
Në terma afatgjatë, plani parashikon lirimin e të gjithë pengjeve, si dhe një numër të paspecifikuar të burgosurish palestinezë.
Gjithashtu parashikon tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës dhe heqjen e rrethimit, i cili është vendosur që nga viti 2007, dhe marrjen e pushtetit në enklavë nga Hamasi.
Që nga e diela, njoftimet jozyrtare, shpeshherë kontradiktore, pasojnë njëra-tjetrën. Për Hasni Abidi nga Qendra Kërkimore për Botën Arabe dhe Mesdhetare në Gjenevë “negociatat janë në një ngërç”.
Megjithatë, askush nuk është larguar nga tavolina e bisedimeve.
“Hamasi po shqyrton propozimin,” tha ditën e djeshme zëdhënësi i tij.
Në qendër të kërkesave të lëvizjes islamike palestineze është një armëpushim i përhershëm. Një kërkesë e papranuar në këtë fazë nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili kërkon të shkatërrojë Hamasin.
Lideri i Hamasit, Ismail Haniya, siguroi se vdekja e tre djemve të tij në një bastisje izraelite dje në Gaza nuk do të ndryshojë kërkesat e organizatës.
Ndërsa Uashingtoni përpiqet të shmangë përshkallëzimin në Liban, Siri dhe Iran, sulmi izraelit në konsullatën iraniane në Damask javën e kaluar rrezikon të ndryshojë atë strategji të Uashingtonit.
Ditën e djeshme, përballë kërcënimeve për sulm ndëshkues të Iranit kundër Izraelit, Joe Biden përsëriti se mbështetja e tij për Izraelin është e palëkundur.
“Irani po kërcënon të nisë një sulm të madh kundër Izraelit. Siç i thashë kryeministrit Netanyahu, angazhimi ynë për sigurinë e Izraelit përballë këtyre kërcënimeve nga Irani dhe aleatët e tij është i palëkundur”, tha presidenti amerikan.
Megjithatë, qeveria Netanyahu po përballet edhe me zemërimin e familjeve, të cilat kërkojnë kthimin e 129 pengjeve. Nga ana tjetër, një marrëveshje armëpushimi mund të shpërbëjë koalicionin qeverisës izraelit.
Së fundi, kryeministri izraelit e ka kthyer këtë fushatë ushtarake në një “çështje personale”. Për Hamasin, zbatimi i një armëpushimi do të ishte, përkundrazi, një fitore simbolike. Pasi do të lejonte gjithashtu të “riorganizojë dhe të nisë sulme kundër ushtrisë”, sipas Omer Dostri nga Instituti i Jerusalemit për Strategjinë dhe Sigurinë (JISS).
“Qëllimi i Hamasit është të marrë kohën e duhur, duke shpresuar se presioni ndërkombëtar do të shërbëjë për t’i dhënë fund luftës”, tha ai.
Për Hasni Abidin, një armëpushim do të përmirësonte imazhin e Hamasit me popullsinë e Gazës.
Edhe pse Netanyahu premton një të ardhme pa Hamasin në Rripin e Gazës, lëvizja islamiste “po kërkon të përmirësojë imazhin e saj dhe të përgatitet për epokën e pasluftës”.
/abcnews.al