Dështojnë negociatat? PD e ndarë në 2 grupe edhe në shtator

schedule15:41 - 30 Gusht, 2022

schedule 15:41 - 30 Gusht, 2022

Nga Juxhin Mustafaraj

Partia Demokratike do të vijojë të funksionojë e ndarë edhe në sesionin e ardhshëm parlamentar. Pavarësisht negociatave dhe komunikimit të vazhdueshëm mes palëve, në prag të seancës së parë të Parlamentit të parashikuar të mbahet pasditen e 5 shtatorit, të dy grupet brenda PD kanë parashikuar të nisin të ndara aksionin e tyre politik.

Fillimisht deputetët e grupit parlamentar të PD që njohin Alibeajn si kryetar të grupit do të mblidhen në mesditë në Kuvendin e Shqipërisë. Qëllimi i këtij takimi, sipas njoftimit të mbërritur tek deputetët lidhet me një draft të hartuar nga ekspertët për reformën territoriale. Drafti fillimisht do t’i prezantohet, deputetëve të Komisonit të Posaçëm për Reformën Territoriale, më pas drafti do t’i prezantohet edhe deputetëve të tjerë të grupit parlamentar.

Por një tjetër lëvizje për të diskutuar mbi krizën e brendshme në PD, ka ndërmarrë edhe deputeti Lefter Gështenja, i cili ka rimarrë sërish rolin e organizatorit të një takimi të deputetëve të grupit parlamentar të PD. Takimi sipas deputetëve do të jetë informal dhe do të diskutohet mbi strategjinë politike që do të ndiqet në vazhdim.  Një mbledhje të ngjashme u zhvilluar edhe në korrik të këtij viti, por që nuk prodhoi një rezultat në funksion të bashkimit të PD.

Edhe Sali Berisha ka vendosur të mos presë shumë gjatë për lëvizjen e deputetëve sa i takon riformatimit të grupit parlamentar. Burimet i thanë ABC se në fundjavë, Berisha do të thërrasë mbledhjen e Kryesisë ku do të përcaktojë edhe prioritetet e aksionit politik. Më herët kreu i PD ka deklaruar se në vazhdim do të përdoret vazhdimisht protesta si instrument reagimi ndaj qeverisë, teksa sa i takon organizimit të brendshëm të partisë ka sqaruar se pas zgjedhjeve për lidershipin e PD, Luçiano Boçi do të jetë në krye të grupit parlamentar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!