Dështimi me shëndetësinë, mocion kundër qeverisë në Bullgari

schedule22:45 - 15 Tetor, 2018

schedule 22:45 - 15 Tetor, 2018

Opozita në Bullgari ka kërkuar mbajtjen e një votëbesimi për qeverinë e kryeministrit Borisov, të cilin e akuzon për dështim në sektorin e shëndetësisë. Për opozitën, vendi po përballet me një shërbim shëndetësor skandaloz dhe eksod të mjekëve dhe infermierëve.

Partia kryesore e opozitës në Bullgari ka bërë kërkesë për mbajtjen e një votëbesimi për qeverinë e kryeministrit Bojko Borisov, me argumentin se ka dështuar në ringritjen e sistemit shëndetësor. Kjo është përpjekja e tretë që Partia Socialiste bën që nga fillimi i vitit për rrëzimin e qeverisë dhe njësoj si dy të parat ka gjasa të dështojë, pasi koalicioni qendrës së djathtë gëzon shumicën në Parlament, edhe pse të vogël.

Gjithashtu, socialistët, të cilët kanë 79 nga 240 vende të Parlamentit, nuk kanë siguruar mbështetjen e ndonjë partie tjetër në nismën e tyre. Liderja Kornelia Ninova deklaroi se kërkesa synon të nxjerrë në pah gjendjen e rëndë të shërbimit shëndetësor në vend dhe dështimin e qeverisë për të përmirësuar situatën.

“Qindra mijëra bullgarë nuk marrin dot shërbim shëndetësor pasi nuk kanë akses në spitale, ose nuk kanë të ardhura”, tha Ninova. Kryetarja e socialistëve e vuri gjithashtu theksin tek eksodi i mjekëve dhe infermierëve jashtë vendit për shkak të pagave të ulëta, keqmenaxhimit të sistemit shëndetësor dhe gjendjes së dobët financiare. Mocioni i opozitës vjen në një kohë kur Ministria e Shëndetësisë ka nisur një debat publik për reformat që duhen ndërmarrë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore. Ai pritet të debatohet dhe votohet këtë javë, ose javën e ardhshme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!