Dështimi i kryeministrit përballë Covid-19: Izraeli përgatitet për valën e dytë të infektimeve

schedule14:45 - 8 Korrik, 2020

schedule 14:45 - 8 Korrik, 2020

Oren Liebermann, CNN

Për muaj të tërë, Izraeli duket se ishte një model ndërkombëtar i suksesit ndaj menaxhimit të koronavirusit. Me  izolimin e vendit dhe  ndalimin e udhëtimeve duket se frenoi përhapjen e Covid-19, duke regjistruar një shkallë vdekshmërie që ishte shumë më e ulët se shumë vende të botës perëndimore. Ndërsa koronavirusi u përhap gjerësisht në Shtetet e Bashkuara dhe Europë, Izraeli po planifikonte rihapjen e vendit, raporton abcnews.al

Kryeministri Benjamin Netanyahu zhvilloi çdo mbrëmje konferenca për shtyp për t’i kujtuar të gjithë rreth masave, duke i paralajmëruar për sfidat më të reja dhe duke i falënderuar të gjithë në suksesin e vendit.

Më 18 Prill,  pothuajse dy muaj pasi Izraeli konfirmoi rastin e parë të koronavirusit, Netanyahu deklaroi se vendi kishte nën kontroll koronavirusin duke dhënë një shembull për botën. Ai tha që Izraeli do të ishte edhe një shembull në rifillimin e ekonomisë gjithashtu.

Por nuk mbaron këtu.

Vala e parë e koronavirusit në Izrael ishte një histori suksesi, por vala e dytë duket se do të jetë e kundërta e asaj të parës.

 

Vetëm disa javë pas rihapjes së restoranteve, qendrave dhe plazheve, Izraeli tani po sheh një rritje 50-fish me raste të reja. Rreth 20 raste të reja në ditë në mesin e majit dhe më shumë se 1.000 raste të reja në ditë më pak se dy muaj, Izraeli po nxiton të mbyllë edhe një herë vendet që rihapi, raporton abcnews.al

 

Të hënën, Netanyahu njoftoi se palestrat, pishinat, sallat e ngjarjeve, pubet do të mbylleshin, ndërsa restorantet dhe shtëpitë e kultit do të funksiononin me një numër të kufizuar. Duke u përpjekur për të shmangur një bllokim të plotë, Netanyahu dha ​​një deklaratë të ashpër.

“Sot, janë konfirmuar 90 raste me simptoma të agravuara dhe numri po dyfishohet çdo katër ditë. Nëse ne nuk veprojmë tani, do të kemi qindra, dhe mbase mbi 1.000, raste  në javët e ardhshme, të cilat do të paralizojnë sistemet tona,” tha, Netanyahu. “Të gjithë qytetarët e Izraelit e dinë dhe duhet ta kuptojnë, se ne tani duhet të ndërmarrim disa veprime të kufizuara, në mënyrë që të shmangim ato masa ekstreme që do të paralizojnë ekonominë”.

 

Besimi i popullit, në mënyrën se si Netanyahu po menaxhon koronavirusin po venitet shpejt. Nga një nivel i lartë prej 73% në mes të majit kur qeveria dukej se kishte çdo gjë nën kontroll besimi i popullit ndaj Netanyahu është zvogëluar në 46%, sipas anketave të bëra nga Channel 12 News.

Zyrtarja më e lartë e shëndetit publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Prof. Siegal Sadetzki, dha dorëheqjen të martën, duke dhënë një kritikë të ashpër për trajtimin e pandemisë nga qeveria, raporton abcnews.al

Në një postim në Facebook duke shpjeguar arsyet e vendimit të saj, ajo shkruajti: “Me keqardhjen time, po deklaroj se për disa javë trajtimi i shpërthimit të koronavirusit ka humbur drejtimin. Pavarësisht paralajmërimeve sistematike dhe të rregullta në sisteme të ndryshme dhe në diskutime në forume të ndryshme, ne ende nuk po kapim ritmin e duhur.

Qeveria e unitetit kombëtar, e themeluar në maj posaçërisht për t’u marrë me situatën pandemike, duket se është  e interesuar më tepër për përplasjet politike midis Netanyahu dhe rivalit të tij Benny Gantz.

 

Të dy  kanë luftuar mes tyre  se kush do ta trajtonte më  mirë luftën kundër koronavirusit. Mosbesimi mes të dyve është tepër i dukshëm, por kritikët akuzojnë qeverinë se nuk ka pasur një plan të  drejtë dhe përfundimtar, për të mbajtur nën kontroll valën e dytë të koronavirusit.

Ndërkohë ish ministri i mbrojtjes Avigdor Liberman, tha “Kjo qeveri është  katastrofë dhe kryeministri ka dështuar.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!