Dështimi i Google në gjyqin mbi monopolin

schedule10:41 - 8 Gusht, 2024

schedule 10:41 - 8 Gusht, 2024

Gjykata Federale në Uashington e fajësoi gjigantin Google se me makinerinë e tij të kërkimit ka krijuar monopol ilegal. Shuma e gjobës që duhet të paguajë Google nuk dihet ende.

Gjyqtari federal Amit Mehta deklaroi gjatë shqiptimit të vendimit: “Google është monopolist dhe ka vepruar si i tillë, për të ruajtur monopolin.” Vendimi u referohet shumave miliardëshe, që Google për vite me radhë u ka paguar sipërmarrjeve të tjera, për të siguruar instalimin paraprakisht të makinerisë së vet të kërkimit në aparaturat dhe browserat e internetit.

Lidhur me shumën e gjobës që duhet të paguajë Google si dhe të tjera pasoja që rrjedhin nga gjykimi do të vendoset në një moment tjetër. Akuza e ngritur nga Ministria e Drejtësisë në SHBA kundër Google është përpiluar qysh në vitin 2020 nën presidencën e Donald Trump. Kësaj padie iu bashkuan edhe mbi dhjetë shtete federale të SHBA-së. Padia u vazhdua edhe nën presidencën e Joe Biden.

Ministri i Drejtësisë, Garland deklaroi gjithashtu, se gjykimi i shpallur tani tregon, “që asnjë sipërmarrje nuk qëndron mbi ligjin”. Ministria e ka argumentuar këtë rast, se Google me marrëveshjet ekskluzive miliardëshe me Apple apo Samsung i ka mënjanuar sistematikisht nga konkurrenca makineritë e tjera të kërkimit në internet. Të prekur prej këtyre praktikave të Google kanë qenë makineritë e kërkimit si Bing e Microsoft-it apo DuckDuckGo.

Vetëm vitin e kaluar Google ka paguar rreth 26 miliardë dollarë (rreth 24 miliardë euro) për kontrata ekskluzive për makinerinë e vet të kërkimit, pjesa më e madhe e pagesave është bërë për me gjasë për Apple. Google të hënën (05.08.2024) nuk reagoi lidhur me vendimin. Në proces sipërmarrja nga Mountain View e Kalifornisë argumentoi, se suksesi i makinerisë së vet të kërkimi ka të bëjë me faktin, që ajo është më e mirë se konkurrenca.

BE rrit presionin ndaj Google dhe gjigantëve të tjerë

Procesi ishte më i madhi i këtij lloji kundër një sipërmarrjeje të teknologjisë në SHBA që pas procesit kundër Microsoft-it para më shumë se 25 vjetësh. Më 1998 në këtë proces bëhej fjalë për pozicionin dominues në treg të sistemit të Microsoft Windows. Konfrontimi juridik në vitin 2001 u mbyll me një marrëveshje mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Microsoft-it, të cilit iu ndaluan praktika të caktuara biznesi.

Qeveria Biden krahas Google ka vënë në shënjestër edhe të tjerë gjigantë të degës së teknologjisë: Procese në gjykatat federale ka pasur edhe kundër Apple, Amazon si dhe koncernit amë të Facebook-ut dhe Instagram-it Meta. Në shtator kundër Google nis edhe një proces tjetër mbi të drejtën e kartelit, ku bëhet fjalë për biznesin e reklamave.

Makineria e kërkimit ka një rëndësi të veçantë për biznesin e reklamave të sipërmarrjeve. Vitin e kaluar koncerni pati një xhiro prej më shumë se 175 miliardë dollarë prej makinerisë së vet të kërkimit, shumë kjo që përbën 57 përqind të biznesit botëror të sipërmarrjes.

Edhe në BE Google dhe të tjerë gjigandë të internetit ndodhen nën presion në rritjeBazuar në ligjin për tregjet digjitale (Digital Markets Act, DMA) që ka hyrë në fuqi në mars 2024 Komisioni i BE-së në Bruksel do të kufizojë pushtetin në treg të të ashtuquajturve Gatekeeper të internetit. Sipas këtij ligji Google nuk lejohet që në anoncimin e rezultatit të kërkimit të favorizojë më shumë aplikimin e hartave të veta të Google Maps. /DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!