Mjaftoi fakti që Nderim Nexhipi u vu në dijeni dhe Tirana ra në grackë. Firmë për dy vite dhe Albion Avdijaj ishte zyrtarizimi i parë te Tirana. Ndokush u nxitua të thoshte se bardheblutë kishin gjetur pasuesin e Michael Ngoo, por as që i afrohej.
Në fakt shifrat ishin kundër sulmuesit që ka luajtur edhe me Shqipërinë U21, pasi golin e fundit në kampionat e kishte shënuar me fanellën e Debrecen në tetor të vitit 2018 kundër Akademia Puskas.
Gjithsesi Tirana i besoi dhe tani edhe vetë e pranojnë se dështuan totalisht me të. Ende pa nisur kampionati, drejtuesit e bardhebluve tentuan të ndërpresin kontratën me sulmuesin. Përgjigja ishte kategorike, jo.
110 mijë euro për dy sezone, përfiton Avdijaj prej marrëveshjes së nënshkruar, ndërkohë që nuk ka luajtur asnjë ndeshje në kampionat. Sulmuesi ka qenë i grumbulluar vetëm në dy ndeshje dhe nuk i është besuar asnjë minutë.
Avdijaj ka pasur mundësinë të luajë në Kupë në dy takime, as ato të plota, si dhe është aktivizuar me ekipin e 21-vjeçarëve dhe me ata ai ka shënuar edhe golin e vetëm me fanellën e Tiranës. Ah, po, goli tjetër është kontrata e nënshkruar, që bardheblutë do tentojnë ta zhbëjnë tani. /abcnews.al