Situata e krijuar në Siri është pasojë e dështimit të diplomacisë ndërkombëtare. Kështu shkruan në një analizë rrjeti informativ amerikan CNN, që fajëson fuqitë e mëdha për dështim në dhënien fund të konfliktit 7-vjeçar.
“Dënim”, “përçmim”, “denoncim”. Fjalë që i dëgjojmë thuajse çdo ditë nga Kombet e Bashkuara dhe qeveritë e vendeve perëndimore për masakrat që po kryhen ndaj civilëve sirianë. Por këto fjalë nuk shoqërohen nga kërcënime për një shpagim, apo për vendosjen e një armëpushimi.
Apelet e OKB-së për uljen e armëve bien në vesh të shurdhët. Në një analizë mbi ngjarjet e fundit në Guta, në rrethinat e Damaskut, CNN nënvizon se asgjë nuk është bërë për të ndaluar bombardimet e Assad, që po kthen në hi zonën periferinë lindore të Damaskut, duke lënë rreth 400 mijë njerëz pa ujë e ushqime dhe pa kujdes mjekësor.
Për gjithë ato grupe humanitare që bërtasin nga shtëpitë e shkatërruara të sirianëve, kjo mungesë veprimi është një abdikim nga morali. Fuqitë e mëdha bëjnë sehir teksa regjimi godet e sulmon edhe spitalet dhe vazhdon të përdorë gazin nervin si armë terrori.
Më 23 janar, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson tha: “Sulmi i fundit në Gutën lindore ngre shqetësime serioze se regjimi mund të përdorë ende armë kimike ndaj popullit të tij”. Ai bëri edhe një paralajmërim, se një ditë përgjegjësit do të përballen me akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërsa fajësoi Rusinë se nuk bënte sa duhet presion ndaj presidentit Assad.
Më 1 Shkurt u bë një tjetër deklaratë e ngjashme, por duket se gjuha e ashpër e administratës amerikane ka avulluar. Edhe paralajmërimi i bërë që në qershor nga Shtëpia e Bardhë, se Assad do të përballej me pasoja serioze nëse përdorte armë kimike u shpërfill. Regjimi sirian dhe mbështetësit e tij në Moskë e Teheran mendojnë se gëzojnë lejen për të përfunduar punën e tyre, për rimarrjen e atyre pjesëve të Sirisë që ndodhen ende nën kontrollin e rebelëve.
Dhe për popullin e Gutës Lindore, të sulmuar me armë kimike apo me bomba, situata ka mbetur e njëjtë. Perëndimit tashmë i kanë mbetur fare pak opsione, sepse në njëfarë mënyre ia dorëzoi presidentit rus Vladimir Putin detyrën për t’i dhënë fund konfliktit sirian. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë tërhequr mbështetjen për grupet rebele dhe i kanë mëshuar zgjidhjes që Assad të largohet me një marrëveshje të negociuar. Nga ana tjetër, Rusia dhe aleatët e saj, Irani dhe Turqia, e shpallën Gutën një “zonë jashtë konfliktit”.
Një moment ky, që të kujton situatën e vitit 1995 në Bosnje, ku u desh vrasja e 8 mijë burrave dhe djemve që Perëndimi të bindej që të ndërhynte. Sikurse Gouta, Srebrenica ishte shpallur një “zonë e sigurt” nga OKB, por të dyja ato u kthyen në zona konflikti. Me një apel të dëshpëruar një javë më parë, komisioneri i OKB për të drejtat e njeriut, Zeid Raad Al Husein bëri krahasimin mes Bosnjës dhe Sirisë. “Të paktën në Bosnje konflikti u ndal nga komuniteti ndërkombëtar pas 4 vjetësh. Ndërsa pas 7 vjetë gjakderdhje, konflikti sirian vazhdon dhe dështimi për t’i dhënë fund është një dështim për diplomacinë ndërkombëtare”, tha Al Husein./abcnews.al