Dëshmitë në gjyq, çfarë u tha policëve Fadil Kasemi, pasi vrau gjyqtaren Hafizi

schedule18:08 - 13 Shtator, 2018

schedule 18:08 - 13 Shtator, 2018

Dy efektivë të Komisariatit të Policisë nr.1 në Tiranë dëshmuan para një trupi gjykues takimin e parë me Fadil Kasemin vetëm pak minuta pasi ai kishte vrarë ish-gruan gjyqtare, Fildes Hafizi. Dëshmitë e tyre mbi fjalët e para të Kasemit u dëgjuan në procesin ndaj tij tek Krimet e Rënda.

Dy efektivët e policisë që u përballën të parët me Fadil Kasemin pak minuta pasi ai kishte vrarë me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij gjyqtare, Fildes Hafizi, dëshmuan të enjten në procesin ndaj tij tek Krimet e Rënda. Inspektorët Dashnor Murataj dhe Nazmi Kosta, rrëfyen para gjykatës çastet kur Fadil Kasemi ishte shfaqur në oborrin e Komisariatit nr. 1.

“Sapo kishin marrë turnin për të dalë në patrullim, kur pashë një person të armatosur në oborrin e Komisariatit. Mbante pistoletën në një dorë dhe krëhrin e saj në tjerën. Më tha: “Kam vrarë një njeri dhe kam ardhur për t’u dorëzuar”. Ia mora armën dhe e shoqërova për një komisariat. Ai nuk bëri asnjë rezistencë, madje edhe armën ma la vetë në dorë”, tha dëshmitari Dashnor Murataj.

Në kryerjen e ketyre veprimeve dëshmitari ishte ndihmuar nga kolegu i tij dëshmitari tjetër, Nazmi Kosta. Para trupit gjykues Kosta tha se Fadil Kasemi kishte zbritur nga një furgon i bardhë që kishte ndaluar me shpejtësi dhe në kundravajtje para portës së Komiariatit. Kur e shoqëruan tha që kishte vrarë ish-bashkëshorten e tij, Fildes Hafizi tek “Xhamlliku” dhe se kishte ardhur të dorëzohej.

Dy dëshmitarët i thanë gjykatës se nuk e kishin vënë re, nëse Kasemi kishte zbritur nga vendi i pasagjerit, apo nga drejtuesit të furgonit.

Sipas prokurorisë, pas vrasjes së ish-bashkëshortes në 31 gusht 2017, ka marrë nën kërcënimin e armës drejtuesin e furgonit, Klodian Tafa, automjeti i të cilit ka ndaluar para komisariatit nr.1. Për këtë fakt, përveç akuzës së “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, Kasemi akuzohet edhe për “rrëmbim ose mbajtje peng të personit”.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!