Dëshmia e kolegëve të oficerit Chauvin: Forca ndaj Floydit nuk ishte e autorizuar

schedule19:57 - 7 Prill, 2021

schedule 19:57 - 7 Prill, 2021

Prokurorët vazhduan të paraqisnin argumentet tyre të martën në gjyqin ndaj ish oficerit të policisë së Mineapolisit, Derek Chauvin, i akuzuar për vdekjen e George Floydit. Kolegët e ish-policit Chauvin thanë në dëshmitë e tyre se forca e përdorur ndaj afrikano-amerikanit George Floyd nuk ishte autorizuar nga departamenti i tyre i policisë.

Punonjësit e Departamentit të Policisë në Mineapolis të martën u bënë jehonë deklaratave të shefit të tyre një ditë më parë se mbajtja e të ndaluarit George Floyd nga oficeri Derek Chauvin duke i vënë gjurin në qafë për më shumë se nëntë minuta, nuk ishte në përputhje me trajnimet e departamentit.

“Nëse, për shembull, i dyshuari është nën kontroll dhe i prangosur, a do të autorizohej kjo praktikë?”, pyeti prokurori Schleicher.

“Unë do të thoja jo”, u përgjigj togeri Johny Mercil.

Kur u mor në pyetje nga avokati mbrojtës i ish-policit Chauvin, togeri Mercil dëshmoi se oficerët janë trajnuar në disa situata për të përdorur gjurin e tyre në shpinën ose shpatullat e një të dyshuari dhe të përdorin peshën e trupit për ta mbajtur atë nën kontroll. Por ai e sqaroi këtë duke thënë:

“Ne u themi oficerëve që të qëndrojnë larg qafës kur është e mundur”, tha ai.

Oficerët dhanë hollësi nga trajnimi që ish-polici Chauvin mori gjatë kohës që ishte në detyrë, duke përfshirë kurse mbi uljen e tensioneve dhe dhënien e ndihmës së shpejtë.

Të martën dëshmoi edhe një ekspert i “përdorimit të forcës”, i cili vlerësoi se veprimet e ish-policit Chauvin ndaj Floydit ishin të tepruara.

“Cili është mendimi juaj për shkallën e forcës së përdorur nga i pandehuri ndaj zotit Floyd?”, pyeti prokurori Steve Schleicher.

“Mendoj se ishte forcë e tepruar”, tha oficeri Jody Stiger.

Ekspertët mjekësorë që dëshmuan më herët thanë se Floyd ka të ngjarë të ketë vdekur nga mungesa e oksigjenit. Avokatët e mbrojtjes të oficerit të policisë thonë se Floyd vdiq nga probleme të tjera shëndetësore dhe përdorimi i drogës. Gjyqi pritet të zgjasë disa javë./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!