Nga Vladimir Prenga
Lashi, kështu e thërrisnin shokët e tij sa zbarkonte në stërvitje. Po shkruajmë për Lorenc Trashin, mbrojtësin që ëndrrën për të luajtur futboll e nisi nga qyteti i vogël i Gramshit. Hapat i hodhi një e nga një, duke luajtur me Lushnjën e pastaj me Partizanin. Kulmi ishte fitimi i titullit kampion me “Demat e kuq” dhe më pas erdhi edhe kontrata e jetës me Al Qadsia në Kuvajt.
Me punë Lorenc Trashi ia ka dalë të fitojë edhe një vend në kombëtaren shqiptare, ajo që çdo futbollist e ëndërron që i vogël. Sigurisht fëmijë dëshirat kanë qenë edhe për ndonjë lëvizje tjetër, por mbrojtësi i majtë duhet të jetë i kënaqur me atë që ka arritur. Trashi, ftesës për të qenë pjesë e rubrikës “Në kohën e ABC-së”, nuk i ka thënë jo, madje ka zgjedhur të shkruajë çdo përgjigje, duke e bërë vijë krahun.
Ai rrëfen si nisi gjithçka për të: “Futbollin normalisht e kam nisur me shokët e lagjes për herë të parë, aty ku jetoja si adoleshent. Gjithë ditën mendonim vetëm për topin. Nga dëshira e madhe që kisha për futbollin u regjistrova në një akademi të vogël, që drejtohej nga profesori i nderuar Mentar Dermyshi. Nga aty nisi dashuria ime për futbollin”.
Të jesh i dashuruar me futbollin do të thotë edhe të kesh topin tënd. Kur ia kanë blerë të parin dhe si është ndjerë Trashi? “Me thënë të drejtën, nuk është se e mbaj mend. Babai im nuk harronte asnjëherë të më bënte dhurata të tilla. Sa herë më blinte gjithçka rreth futbollit ishte një emocion shumë i madh. Nuk mund ta përshkruash me fjalë, pasi ato kohë vetëm për futboll flitej”.
Gjithsesi ai nuk e harron fanellën e parë që i kanë dhuruar. “Kam qenë i çmendur pas Interit dhe çdo herë që luaja e komentoja veten sikur të isha një lojtar i tyre. Fiksim kam pasur bluzën e Bobo Vierit dhe atë fanellë ma ka blerë familja. Më kujtohet ai kostum, e kam foto edhe sot e kësaj dite”.
Me dashurinë e madhe për futbollin, Trashi më pas ka nisur të stërvitet që të rritet. Memorien e ka të mirë, teksa kujton: “Mbaj mend diçka, që kur kam shkuar në stërvitje ditën e parë, të gjithë më shihnin çuditshëm. Isha shumë biond, po shumë fare. Flokët më ishin bërë aq biond, sa më ishin djegur nga dielli. Gjithë ditën rrinim jashtë duke luajtur.
Kam qenë një tip pa komplekse, nuk rrija si i ndrojtur, edhe pse shokët më shikonin çuditshëm. Kisha një dëshirë shumë të madhe të nisja të luaja futboll”, shton Lorenci, i cili më pas flet edhe për trajnerin e tij të parë.
“I pari që më ka stërvitur ka qenë Mentar Dermyshi. Ai edhe sot e kësaj dite vazhdon e punon me moshat e Gramshit. Po flas për një njeri të shkëlqyer, i cili jetën e tij ia ka kushtuar futbollit dhe trajnimit të brezave”.
Pozicioni i tij nuk është se ka ndryshuar. Prej atëherë Trashi luante në linjën e majtë si mesfushor. “Atëherë ishte e vështirë të gjeje lojtarë që luajnë me këmbën e majtë, ishin të rrallë. Gjithmonë luaja si mesfushor i majtë”. Sigurisht kushtet nuk kanë qenë më të mirat, por pasioni për futbollin është shtysa që nuk të lë të ndalesh pavarësisht pengesave.
“Më kujtohet fusha ku stërviteshim, vazhdon të jetë ende dhe aty stërviten sërish ekipet e moshave. Në Gramsh janë dy fusha, stadiumi që është për ekipin e parë ku bëhen ndeshjet zyrtare dhe një fushë tjetër që bëjnë stërvitje moshat.
Kushtet nuk kanë qenë aq të mira të themi. Kur binte shi ishte terren shumë i rënduar dhe ishte e vështirë shumë të luaje, por dëshira e madhe që kishim për të luajtur të bënte të harroje çdo gjë tjetër”.
Kush ka pasur ndikimin më të madh te Trashi dhe cila ishte porosia që merrte më shpesh? Mbrojtësi tregon gjithçka: “Profesori gjithmonë më kishte pikë të dobët, për arsyen se isha një sallaks i mirë dhe isha shumë i zhdërvjellët si lojtar. Gjithmonë më thoshte “godit portën, godit portën”, sepse ne me të majtën mbahemi si shumë preçiz në goditje.
Trajneri që ka pasur ndikim të madh te mua normalisht që ka qenë dhe trajneri i parë, Mentar Dermyshi. Më ka ndihmuar dhe kam mësuar shumë prej tij. Në kohën që unë kalova në ekipin e parë që në moshën 16-17 vjeç, ndikim të madh ka pasur trajneri Edmond Mustafaraj.
Ka qenë trajneri ekipit parë të Gramshit, ai është nga Elbasani. Ai ka pasur shumë ndikim te mua për arsyen se më ka aktivizuar që në moshën 17-vjeçare me ekipin e parë dhe unë aty jam formuar si lojtar, kam krijuar besim tek aftësitë e mia”.
Trashin e ngacmojmë edhe për udhëtimet që bënin si fëmijë me skuadrën. “(Qesh) Një pyetje shumë interesante kjo. Ka qenë periudha më e bukur gjatë karrierës time. Nuk mund ta harroj kurrë atë kohë, kur mezi prisnim të udhëtonim të gjithë bashkë. Nuk harroj ndalesat që bënim në lokale të hanim drekën para ndeshjeve, lojërat që bënim pa pushim me njëri-tjetrin. Janë momente të paharrueshme”.
Trashi flet edhe në lidhje me ata që kishin cilësi në brezin e tij: “Atëherë ishin disa që kishin talent të jashtëzakonshëm dhe kur i shikoja mendoja se do të shkonin shumë lart një ditë. Por futbolli është edhe fat, ose dikush fokusohet më shumë te shkolla dhe e harron futbollin.
Nga më të mirët atëherë ishte Edlir Miraka, shok i imi me të cilin edhe tani kemi marrëdhënie shumë të mira. Ishte shumë i fortë dhe më kujtohet sot e kësaj dite që bënte shumë gola. Më vjen keq që fati nuk ishte disi me të. Ka qenë një lojtar me shumë cilësi të mira”.
Rrëfimi i Trashit vijon dhe tregon se ai është nga ata që nuk tregon rrengjet që bënin në skuadër. “Nuk mund të them ndonjë rreng, por mund të kujtoj që sa herë shkoja në stërvitje, para se të hyja në fushë më ngacmonin duke thënë ‘erdhi Lashi’ (qesh).
Pastaj po të flasim për gjëra të çuditshme, ka pafund. Në atë kohë vetëm gjëra të çuditshme ndodhnin. Më kujtohet sa herë luanim me Fushë-Mbretin e Elbasanit, ata kishin një fushë poshtë në lumin Shkumbin. Asnjëherë nuk kam fituar atje, për arsyen se arbitri ishte edhe trajneri i Fushë-Mbretit (qesh)”.
Trashi shembull si futbollist ka pasur kushëririn e tij të parë. “Atëherë, para se të shkoja te Gramshi, aty luante çuni i dajës tim, Besnik Hasa. Ai ka qenë një futbollist i shkëlqyer dhe një shembull në Gramsh për sportistët. Dëmtimet e penguan të ngjitej më lart”. Për Lorencin mbështetja më e madhe ka qenë familja.
“Babai më ka mbështetur veçanërisht. E kishte ëndërr të bëhesha futbollist i njohur. Dua të veçoj shtysën e madhe që më kanë dhënë dy çunat e dajës, Besnik Hasa dhe Ervis Hasa, të cilët sot jetojnë në SHBA. Ata më kanë mësuar çdo gjë, më merrnin kudo me vete. U jam shumë mirënjohës, me të vërtetë”.
Si interist e ka ëndërruar ta veshë fanellën e klubit italian dhe arsyeja dihet. “Kur isha i vogël Interi ishte ekipi i ëndrrave për çdo moshatar timin dhe arsyeja ishte Ronaldo Fenomeni. E mbajnë mend të gjithë dhe ishim të çmendur pas tij. Si unë, edhe të tjerët, ëndërronim të luanim me Interin”.
Nuk e ka plotësuar dot ëndrrën të luajë në Serie A me zikaltrit, por mamanë e tij e ka gëzuar pamasë, ia ka plotësuar dëshirat e saja dhe sigurisht familja e Trashit ndihet krenare për gjithçka ka arritur djali i tyre.
“Kam besuar se do të bëhesha futbollist kur kalova në ekipin e parë. Stërvitesha me ta dhe luaja me moshat. Aty e kuptova dhe i thoja vetes ‘ti mund të bëhesh dikushi’. Atëherë flitej shumë rreth meje, prej cilësive që kisha që në një moshë të vogël.
Realisht doja shumë të bëhesha futbollist. Mamaja ime gjithmonë më thoshte, ‘Eh, kur do vije dita të shoh çunin të luajë tek ajo fusha aty, që ta shohë i gjithë qyteti’. Dëshirën e saj e bëra realitet, por më pas donte të më shihte edhe në televizor. Edhe atë dëshirë ia realizova duke luajtur me Partizanin. Dhe e fundit gjithmonë mamaja ime thoshte ‘a do vijë ndonjëherë dita që djali im të luajë për kombëtaren shqiptare’.
Unë ia realizova edhe këtë dëshirë dhe familjarët e mi janë shumë të lumtur për këtë gjë. U jam shumë falënderues prindërve të mi dhe dy motrave për mbështetjen që më kanë dhënë”, përfundon Lorenc Trashi, një produkt i një qyteti të vogël, i rritur në fushat plot baltë e pluhur të Gramshit, me pasionin e madh për sportin e bukur të futbollit. / abcnews.al