UEFA vendosi të shtyjë për në verën tjetër Europianin që ishte programuar të niste në 12 qershor. Ky vendim është pritur mirë nga Didier Deschamps, trajneri i Francës, skuadrës kampione të botës. Deschamps ka analizuar situatën e vështirë me një komunikatë për shtyp dhe bën thirrje për të gjithë njerëzit për të fituar ndeshjen më të rëndësishme, atë kundër koronavirusit.
“Shtyrja e Europianit ishte një vendim i mençur. Prioritetet tona në këto momente nuk lidhen me futbollin. Mendojmë për njerëzit që po vuajnë dhe të gjithë ata që rrezikojnë të vuajnë në të ardhmen. Është e rëndësishme të kemi prioritete të tjera, duke dhënë shembull përgjegjësie dhe qytetarie. E vetmja ndeshje për t’u fituar është kjo që po luajmë kundër koronavirusit.
Duhet të tregojmë solidaritet, ashpërsi dhe disiplinë. Kjo është ndeshja e ne të gjithëve. Mirënjohje dhe mbështetje për të gjithë ata që janë mobilizuar për të shpëtuar jetë. Le t’u japim një dorë, le të respektojmë me përpikmëri udhëzimet dhe indikacionet. Mbroni veten duke qëndruar në shtëpi sa më shumë të jetë e mundur, mbrojtja e vetes do të thotë mbrojtja e të tjerëve”,përfundon trajneri i Francës. /abcnews.al