Franca nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 përballë Ukrainës në shtëpi në takimin e parë të eliminatoreve të Botërorit Katar 2022, dhe nesër do të tentojë fitoren e parë në grupin D.
Sfida në transfertë kundër kazakëve do të luhet të dielën, duke nisur prej orës 15:00. Trajneri i kampionëve të botës, Didier Deschamps është ndalur te gjendja e Paul Pogba në prononcimin për mediat.
“Pogba nuk është akoma në formën e tij më të mirë, kjo është e dukshme. Ai luajti gjysmë ore kundër Ukrainës, në një moment që skuadra jonë po haste vështirësi dhe po vuante.
Gjithsesi, Paul u paraqit mirë në 30 minutat që u aktivizua. Ai ka nevojë për kohë, njësoj si të gjithë lojtarët që sapo janë rikthyer nga dëmtimi. Gjendja e tij fizike do të vijë në rritje duke luajtur“, deklaroi Deschamps. /abcnews.al