Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Deri tani Biden e ka injoruar Erdogan, çdo të ndodhë me marrëdhëniet SHBA-Turqi?

schedule10:12 - 5 Mars, 2021

schedule 10:12 - 5 Mars, 2021

Nga Robbie Gramer, Katie Livingstone &Jack Detsch, Foreign Policy

Joe Biden e shpenzoi muajin e parë të presidencës së tij, duke kryer telefonata rutinore me liderë të ndryshëm botërorë. Për presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, një telefonatë e tillë nuk mbërriti kurrë.

Kjo gjë u bë një lajm i madh në Ankara, pavarësisht ose ndoshta për shkak të perceptimit të raportet e paqëndrueshme ndër vite midis aleatëve të NATO-s, nga përplasjet mbi Sirinë deri tek blerja nga Turqia e një sistemi rus të mbrojtjes ajrore.

Por intervistat me disa zyrtarë, ligjvënës dhe ekspertë të tjerë, e bëjnë të qartë se heshtja e presidentit amerikan, është tregues i një toni më të ashpër amerikan ndaj Turqisë:Nëse nuk e ndryshon shpejt qasjen e saj, Ankaraja do të vazhdojë të injorohet nga Uashingtoni.

“Marrëdhënia midis 2 vendeve, është shumë e sfiduar, dhe ne nuk jemi në pozitën ku mund të mbështetemi tek Turqia si dikur, apo të ndihemi të sigurt se mund të mbështetemi tek aleatët e tjerë të NATO-s”- thotë kongresmenia demokrateAbigail Spanberger, që është anëtare e Komitetittë Punëve të Jashtme në Kongres.

Megjithatë, shumica bien dakord se ekzistojnë disa përgjigje të mira, që mund të ndalin degradimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, edhe pse Sekretari i amerikan Shtetit, dhe disa prej ndihmësve të tij të lartë kanë biseduar në telefon me homologët e tyre turq, dhe për Biden ka disa opsione politike përtej vazhdimit të presionit ndaj Erdogan mbi çështjen e të drejtave të njeriut.

“Kjo e tanishmja është pika më e ulët në marrëdhëniet SHBA-Turqi”-shprehet Aykan Erdemir, një ish-deputet turk, tani anëtar i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, një think tank me seli në Uashington. Biden nuk është i panjohur për Erdogan.

Si zv/president i SHBA-së, ai menaxhoi një tjetër pikë të ulët të raporteve midis 2 vendeve, pas një përpjekje për grusht shteti kundër Erdoganit në vitin 2016, për të cilin udhëheqësi turk bëri përgjegjës Shtetet e Bashkuara.

Por, mënyra sesi Biden do të manovrojë tani midis marrëdhënieve delikate SHBA-Turqi në rolin e komandantit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, do të jetë një test kryesor për axhendën e tij gjithëpërfshirëse të politikës së jashtme, duke treguar nëse ai mund të rregullojë lidhjet me një aleat të vjetër të NATO-s, dhe të zbusë prirjet gjithnjë e më autoritare të Erdoganit.

Qasja agresive e Turqisë në politikën e jashtme, krijon një krizë të mundshme në pritje të lëvizjeve të administratës Biden. Erdogan është mbërthyer në “kthetrat” e presidentit rus të Vladimir Putin, pas blerjes nga Turqia të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400 në shumën 2.5 miliardë dollarë, një hap në kundërshtim me politikën e jashtme të SHBA-së në Mesdhe, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Për këtë arsye, Turqia mbetet nën sanksionet e SHBA-së, edhe pse ish zyrtarë dhe ekspertë amerikanë thonë se këto masa ndëshkimore nuk janë krijuar për ta dëmtuar ekonominë turke. “Kjo është përballja e dytë me këtë situatë për shumicën e njerëzve në administratën Biden. Shumicës i ka ardhur në majë të hundës nga kjo gjendje. Por topi mbetet në fushën e Ankarasë”- thotë Aaron Stein, drejtori i kërkimit në Institutin e Kërkimit të Politikave të Jashtme, me qendër në Filadelfia.

E pyetur mbi këtë çështje, ambasada turke në Uashington tha se Ankaraja i jep “rëndësinë më të madhe” marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, dhe do të punojë për të forcuar lidhjet me administratën Biden. “Turqia ka qenë aleate e NATO-s për gati 7 dekada. Blerja e sistemit rus S-400 nuk nënkupton në asnjë mënyrë një ndryshim strategjik të kursit nga ana e Turqisë. Ajo vazhdon të jetë një anëtare e përgjegjshme dhe e besueshme e NATO-s”- tha ambasada turke.

Udhëheqësi turk i ka shkaktuar shumë “dhimbje koke” Uashingtonit vitet e fundit. Por lejimi i përkeqësimit të mëtejshëm të raporteve dypalëshe do të ishte katastrofik. Deri më tani, administrata Biden duket se po kërkon për një qasje të ekuilibruar, por nuk dëshiron që të lërë të pakontrolluar sjelljen problematike të Turqisë.

“SHBA nuk po përpiqet të hedhë në erë marrëdhënien me Turqinë. Ajo nuk është duke u treguar armiqësore. Por po e bën të qartë se nëse do të ketë një angazhim të ngushtë me Ankaranë, ky do të ndodhë sipas kushteve të Amerikës”- thot Nicholas Danforth, bashkëpunëtor i Fondacionin Grek për Politikën e Jashtme Evropiane.

Turqia ka ofruar një sinjal për paqtim, me Ministrin turk të Mbrojtjes Hulusi Akar që propozoi një model që do ta lejonte Turqinë të mos përdorte për një farë kohe sistemin S-400. Ky gjest, reflekton ndjeshmërinë politike në rritje të Erdoganit, e cila po përkeqësohet nga sanksionet e SHBA-së.

Ekonomia turke, që e përballoi rënien e madhe vitin e kaluar si pasojë e Covid-19 falë disa huave të mëdha, po vuan nga inflacioni i lartë, një monedhë e zhvlerësuar dhe mos-hapja e vendeve të reja të punës.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdogan, do të përballet me një sfidë të vështirë në zgjedhjet parlamentare në vitin 2023, në kushtet kur humbi në zgjedhjet lokale në Stamboll dy vjet më parë, gjë që nënvizoi dobësinë e tij politike në disa pjesë të vendit, gjithnjë nëse do ta lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Nëse do të mbaheshin sot zgjedhjet, ai nuk do të fitonte. Dhe nëse do të vendoste të sillej si Trump, nuk ka asnjë mënyrë pas asaj që ndodhi në SHBA që Biden të bëjë një sy qorr”-thotë Soner Cagaptay, drejtor i programit turk të kërkimit në Institutin e Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Mesme, duke iu referuar akuzave të pabazuara të ish-presidentit amerkan për manipulimin e votave në zgjedhjet e vitit të shkuar.

Sfida për administratën Biden është që nga njëra anë të ruajë presionin mbi Turqinë, dhe nga ana tjetër të shpëtojë një aleancë ushtarake disa dekadëshe. Lidhjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë në fushën e mbrojtjes janë të thella:Departamenti Amerikan i Mbrojtjes i SHBA-së, ka vendosur armë bërthamore në Bazën Ajrore Incirlik, më pak se 65 kilometra larg Detit Mesdhe, dhe një sistem radarësh të paralajmërimit të hershëm të NATO-s është vendosur në Turqi për t’u mbrojtur kundër sulmeve me raketa balistike nga lindja.

Një ish-zyrtar i lartë amerikan, që foli për “Foreign Policy” në kushte anonimiteti, e quajti Turqinë një “armike natyrale” të Rusisë, dhe një mbrojtje të mundshme kundër ekspansionizmit iranian në Lindjen e Mesme. Administrata Biden këmbëngul se mund t’i kërkojë llogari Turqisë për prapësimin që ka pësuar demokracia në vend, dhe të mbajë njëherazi një marrëdhënie të ngushtë si aleate e NATO-s.

Gonul Tol, drejtor i studimeve Turke në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington, kujton se Ministria Turke e Punëve të Jashtme dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, kanë punuar ngushtësisht në të kaluarën edhe kur liderët e tyre kishin përplasje.

Kjo praktikë mori fund nën presidencën Trump, kur Departamenti i Shtetit nisi të mënjanohej nga një president që nuk u zinte besë diplomatëve të karrierës, dhe i anashkalonte këshilltarët e tij për të krijuar një raport personal me Erdoganin.

E njëjta gjë vlen edhe për ushtrinë, thanë ekspertë dhe ish-zyrtarë të tjerë, veçanërisht pasi qeveria e Erdogan akuzoi shumë njerëz në ushtrinë turke për lidhje të ngushta me homologët e tyre në SHBA dhe NATO, si pjesëmarrës në përpjekjen për grusht shteti.

Mbështetja ushtarake amerikane për grupimet kurde që luftonin ISIS-in në Siri i acaroi më tej marrëdhënien institucionale. Disa ekspertë turq flasin për gabime të tjera të SHBA-së,të cilat i përkeqësuan më tej tensionet:mosmarrëveshjet rreth tërheqjes së NATO-s nga disa sisteme të mbrojtjes raketore Patriot, kur u rritën tensionet Turqi-Rusi në vitin 2015; politikat e SHBA-së mbi luftën civile siriane.

Gjithsesi, pavarësisht pikës së ulët ku gjenden raportet ndërshtetërore shumica e ekspertëve thonë se marrëdhënia SHBA -Turqi nuk do të prishet. Për Perëndimin, kjo marrëdhënie është e një rëndësie të njëjtë gjeopolitike si 70 vjet më parë kur Turqia u bashkua me NATO-n.

Ajo është shumë e rëndësishme gjeografikisht, dhe me një rëndësi jetike për qëndrimin e forcës amerikane në Lindjen e Mesme. Edhe zyrtarët amerikanë dhe evropianë që ironizojnë mashtrimet e Turqisë ndaj NATO-s, kurrë nuk shkojnë aq larg sa të diskutojnë seriozisht nëse Turqia i përket aleancës.

Për Ankaranë, kjo është një çështje e sigurisë dhe ekonomisë. Ekonomia turke ka nevojë

për lidhje me tregjet dhe investimet perëndimore, dhe pavarësisht shpërthimit të tensioneve, Erdogan nuk është i gatshëm të braktisë lidhjet e tij të thella me Perëndimin për rivalët autokratikë në Moskë apo Pekin. Disa ekspertë besojnë se në fund pragmatizmi i Erdogan, do ta tejkalojë platformën e tij anti-perëndimore. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!