Në janar të vitit 2021 qeveria do të hapë aplikimet për të familjet që kanë një banesë të vjetër në zona muzeale dhe duan ta kthejnë atë në një biznes atraktiv në fushën e turizmit. Kryeministri Edi Rama tha nga Kalaja e Beratit se mbështetja do të nisë nga 10 mijë dollarë për restaurime të pjesshme si rregullimi i çatisë apo pjesëve të tjera të godinës dhe deri në 50 mijë dollarë për transformim rrënjësor të saj.
“Dua t’i përgëzoj sinqerisht pronarët dhe investitorët e këtij mjedisi i cili sot është transformuar në një mjedis shembull rijetëzimi. U bëj një apel të gjithë familjarëve që kanë shtëpi të tilla që tanimë me bonusin e rijetëzimit, ne jemi në krah me dy instrumente mbështetje. Një për restaurimin dhe konsolidimin. Do të japim deri në 10 mijë dollarë mbështetje dhe për instrumentin e dytë, për ata që duan të futen në një plan transformimi deri në 50 mijë dollarë. Është instrument që është marrë nga modeli i BE ku shteti jep një pjesë të parave, jo kredi por dhuratë bazuar në një angazhim të subjekteve nga ana e tyre që duhet të prezantojnë një projekt dhe duhet të vendosin edhe ata një shumë parash.
Besoj shumë se në kushtet kur e kemi zeruar taksën për biznesin e vogël, ky bonus do i japë një mundësi familjeve të angazhohen në biznes dhe të përfitojnë nga trashëgimia e tyre të ardhura që në të gjitha rastet janë më të larta se rrogat e shtetit. Në këtë mënyrë hapen edhe vende pune si dhe nxitet ekonomia. Do të kemi më shumë turistë sepse do të kemi kapacitet mbajtës. Kjo ndodh me disa ndërhyrje të rëndësishme që po bëhen në Berat dhe Gjirokastër. Pas vitit të ri do të kemi kantieret që do ta transformojnë sheshin e makinave në krah të sheshit kryesor”, tha Rama.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh se kjo nismë nuk do të mbështesë vetëm hapjen e restoranteve apo hoteleve për shmangur konkurrencën e pandershme por edhe biznese në fushën e artit dhe zejeve.
“Shteti do i gjendet pranë me një skemë granti. Ne kemi filluar të ngremë disa projekte për të parë se çfarë impakti mund të ketë në komunitete. Bonussi do jetë në dy mënyra. Ai për restaurim si problemi me çatinë apo rregullime të tjera. Do jetë gjithmonë bashkëfinancim mes shtetit dhe privatit. Do mbështesim gjithmonë e më tepë artizanatin për artin dhe zejet. Nuk duam të kemi vetëm hotele apo vetëm restorante sepse kjo nuk do krijonte konkurrencë të ndershme. Do të ecim me shërbimin në platformën online. Duam të aplikoni me dokumentacionin e duhur nga certifikata e pronësisë. Në institutin e trashëgimisë do të dorëzojmë projektet”, tha ajo. m.v/Abcnews.al