Kryeministri Edi Rama ka zbuluar disa nga detajet e marrëveshjes me kompaninë e re që ka marrë në pronësi aeoportin e Rinasit. Rama se me marrëveshjen e re është arritur dakordësi që pista të kthehet në standardet e një vendi europian ndërsa do të ulen çmimet e biletave që shqiptarët të mos vrapojnë në aeroportet e vendeve të rajonit për të kapur një biletë më të lirë.
Rama gjithashtu u shpreh se do të krijohet një kargo për avionët e mallrave si dhe kapanonet e mirëmbajtjes së avionëve të cilat deri dje janë penguar nga kompania kineze.
“Synojmë të realizojmë vizionin me katër aeroporte ndërkombëtare. Dhe këtu i kthej përgjigje njerëzve që thonë ne nuk kemi bukë, ju bëni aeroporte. Por aeroportet janë fabrika buke. Ato sjellin punësim për ata që punojnë në aeoporte dhe për të gjithë hapësirën ku ato kanë ndikimin e tyre, Është e provuar që çfarë investon në një aeroport ka një shumim eksponencial, Një euro e investuar është minimumi 23 euro mbrapsht.
Një aeoport kërkon një numër kategorish profesionale. Katër aeoporte për Shqipërinë është vendosja e ekonomisë në një nivel tjetër në planin e të ardhmes dhe realizimit të vizionit tonë dhe atyre që janë marrë me punët e këtij vendi. Me këtë aeroport hapet një tjetër kanal i rëndësishëm i zhvillimit të ekonomisë.
Do bëhen investime të mëdha në aeroportin e Rinasit që pista të kthehet me standardet e një piste për të gjitha fluturimet dhe përmasat e avionëve. Kjo ka qenë pjesë e kontratës që nuk u zbatua me justifikimet që nxirrte pronari i mëparshëm. Kemi pasur konflikte. I ka kushtuar shqiptarëve fluturime të shtrenjta që ka qenë aryse të mallkoheshim edhe ne, të mallkohesha unë rregullisht. Kishte tarifat më të larta dhe na i kërkonin ne.
Ç’mund të bënim ne me një pronar që zbatonte një kontratë të lidhur shumë vite më parë dhe shteti nuk mund të ndërhyjë të japë urdhëra. Marrëveshja e re ka garantuar normalizim të çmimeve. Ka qenë aeroporti me çmimet më absurde në të gjithë aeroportet më të mëdha të Europës. I detyronte shqiptarët shkon në Mal të Zi e Ohër për të kapur një fluturim më të mirë. Këto do vihen në vijë.
Kemi mundësi të bëjmë një zhvillim të rëndësishëm duke pasur në Shqipëri një zonë me kapanonet e mirëmbajtjes së avionëve ku avionë të kompanive të tjera do të vijnë për t’u mirëmbajtur falë përfshirjes në këtë iniciativë të një tjetër kompanie të madhe që nuk e linim dot të futej në Tiranë sepse nuk e linte kinezi. Pastaj është elementi i kargos, që avionët të vijnë si avionë mallrash”, tha Rama./mv.abcnews.al