Vrasja e dy vëllezërve Hasho në Vlorë është zbardhur pas 23 vitesh. Pas hetimeve të kryera gjatë këtyre viteve, rezulton se autor është 47-vjeçari Gerti Selimaj, i cili është shpallur në kërkim.
Por si ndodhi ngjarja më 22 nëntor të vitit 1998 në lagjen “Pavarësia” në Vlorë?
ABC mëson se një i afërm i Gerti Selimajt mbeti i plagosur në vitin 1998 në Vlorë. Dy vëllezërit , Beqir dhe Elmaz Hasho, e dërguan të plagosurin në spital, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten edhe sot enigmatike.
Nga ana tjetër, i afërmi i të plagosurit, Gerti Selimaj u kërkoi llogari vëllezërve mbi një armë që ishte zhdukur nga vendngjarja.
Mes tyre ndodhi më pas edhe një përplasje në spital, konflikt i cili pak ditë më vonë, agravoi me vrasjen e 2 vëllezërve Hasho.
47-vjeçarit Selimaj, Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.
Policia po vijon punën lokalizimin dhe arrestimin e tij. sb/abcnews.al/

